image Vendos ZRrE-ja: Tarifat shtrenjtohen për rreth 15 për qind

Kosovë

Vendos ZRrE-ja: Tarifat shtrenjtohen për rreth 15 për qind

news image

Bordi i ZRrE-së ka aprovuar planin për rritjen e tarifave të çmimit të rrymës për 15 për qind, nga muaji prill. Tre anëtarë të bordit votuan pro kësaj pikë dhe asnjë nuk ishte kundër.

Kryetari i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu tha se kjo po bëhet në mënyrë që të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, pasi nëse nuk bëhet furnizimi, kostot do të jenë edhe më të larta.

“Arsyeja është furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike, meqenëse ne konsiderojmë që nëse nuk kemi furnizim të qëndrueshëm kostoja do të jetë shumë me e madhe sesa kjo rritje e cila është propozuar, ky është minimumi për të pasur 24 orë energji elektrike”, ka theksuar Fejzullahu.

Sipas vendimit të ZRRE-së, ata që harxhojnë 300 kWh, rritja do të jetë 2.88 euro. Për ata që harxhojnë 450 kWh, rritja do të jetë 4.18 euro. Për ata që harxhojnë 600 kWh, rritja do të jetë 5.49 euro. Për ata që harxhojnë 800 kWh, rritja do të jetë 7.23 euro. Për ata që harxhojnë 1000 kWh, rritja do të jetë 10.51 euro. Për ata që harxhojnë 1200 kWh, rritja do të jetë 13.80 euro.

Ymer Fejzullahu në konferencë për media ka thënë se tarifat e reja janë në fuqi deri më 31 mars të vitit 2024, në rast se nuk ka ndonjë kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm për rritje shtesë.

“Është rritje minimale për të reflektuar apo për të pasur furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike. Kërkojmë mirëkuptim, pasi rritja ka qenë e detyrueshme të mos kemi ndërprerje të energjisë elektrike”, ka thënë Fejzullahu.

Tarifat e reja do të jenë në fuqi deri më 31 mars 2024.

Ndërsa, tarifat që aktualisht janë në fuqi ishin miratuar më 8 shkurt të vitit të kaluar.

Me këto tarifa, shtrenjtim të faturave kanë pasur ata që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë brenda muajit.

Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovat për orë kanë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.

Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj, tarifa e lartë është 7 centë, ndërsa ajo e ulët, 3 centë.

/GazetaSinjali/