image Vendos Qeveria: ​S’ka pushim të hënave kur festa zyrtare bie në fundjavë

Kosovë

Vendos Qeveria: ​S’ka pushim të hënave kur festa zyrtare bie në fundjavë

news image

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës, ka mbajtur mbledhje korresponduese, në të cilën ka miratuar projektligje, vendime dhe dokumente të tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria i ka proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës mendimin lidhur me nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës. Në mendimin e Qeverisë janë përfshirë opinionet e Ministrisë së Financave dhe Departamentit të së Drejtës së BE-së. Sipas proceduarave përkatëse, të gjitha institucionet e lartcekura i kanë përcjellë opinionet dhe deklaratat e tyre sipas fushëveprimit përkatës. Në rrjedhë të kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson nismën legjislative të iniciuar nga deputetët propozues të Kuvendit të Republikës së Kosovës për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, nëpërmjet së cilës krijohet baza ligjore për shënimin e Ditës së Egjiptianëve më 24 qershor, si ditë memoriale.

Qeveria e konsideron të nevojshme që ky projektligj duhet të plotësohet dhe ndryshohet dhe neni 4 të fshihet në tërësi dhe të riformulohet si në vijim: “Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, nuk do të jenë ditë pushimi ditët pasardhëse të punës”.

Gjithashtu, mendimi i Qeverisë është proceduar në Kuvendin e Republikës së Kosovës edhe për nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Qeveria ka marrë opinionet e Ministrisë së Financave dhe Departamentit të së Drejtës së BE-së të cilat kanë përcjellë opinionet dhe deklaratat e tyre sipas fushëveprimit përkatës të tyre.

/Gazeta Sinjali/