image Vendimi i PZAP-së i lë jashtë Kuvendit, tre kandidatë të LVV-së ankohen në Supreme

Kosovë

Kundërshtimi/ Vendimi i PZAP-së i lë jashtë Kuvendit, tre kandidatë të LVV-së ankohen në Supreme

news image

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Adnan Rrustemi, ka njoftuar se tre kandidatë të kësaj partie të cilët ishin zgjedhur deputetë nga rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja, kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të djeshëm të PZAP-së.

Përveç përjashtimit nga rezultati të 3 mijë votave të ardhura nga Serbia, PZAP dje ka vendosur që t’i dërgojë në rinumërim 1,472 vendvotime. Ky vendim do të thotë 3 deputetë më pak për Lëvizjen Vetëvendosje.

Enver Haliti, Arta Bajralia dhe Alban Hyseni, të cilët vendimi i PZAP-së i lë jashtë Kuvendit, kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme, shkruan Gazeta Sinjali.

“Të bindur se këto vendime janë politike në thelb e në formë, tre kandidatët tanë, Enver Haliti, Arta Bajralia dhe Alban Hyseni, të shpallur nga KQZ si deputetë të Listës fituese të Lëvizjes, kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP-së, e në mbrojtje të së drejtës së tyre si deputetë të zgjedhur, si dhe votën e qytetarëve për Lëvizjen VETËVENDOSJE!”, ka shkruar Rrustemi në Facebook.

Sipas rrustemit,PZAP është bërë vegël në duart e dikujt duke bërë pazare.

“Por, pazari i tyre është më i qartë se i qartë për secilin qytetar: devalvo procesin zgjedhor, konfiguro artificialisht rezultatin zgjedhor e numrin e mandateve. Larg e kanë menduar anëtarët e PZAP-së, e ulët kanë bërë hesapet, si vegël e nënshtruar në duart e atyre që i ka kapur makthi që nga nata e 6 tetorit”, shkruan Rrustemi.

Ai shton se vendimi i djeshëm i PZAP-së është bërë nga synimi, siç thotë ai, që t’ia zvogëlojnë numrin e deputetëve Lëvizjes Vetëvendosje.

“Vendimet e djeshme të PZAP-së nuk kanë të bëjnë asgjë me procesin zgjedhor, rregullsitë apo parregullësitë, as me të drejtën e votës e ligjshmërinë e votimit. Ata kanë vetëm një hall e një synim. Halli është fitorja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e synimi ishte zvogëlimi i numrit të deputetëve tanë”, ka shkruar Rrustemi.

Ai beson se zvogëlimi i numrit të deputetëve të LVV-së si përfundim do të jetë i parealizueshëm. /Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/adnan.rrustemi.92/posts/10156562073830095