Një grup i specializantëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë raportuar në Gazetën Sinjali se Qeveria ka marrë vendim për të destinuar paratë e pagave të tyre në menaxhimin e pandemisë.
“Në mbledhje është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për transferim të mjeteve në shumë prej 820,000 euro nga kategoria e subvencioneve te programi aftësimi specialistik dhe EVM në programin Shërbimet Përkatëse Farmaceutike dhe do të shfrytëzohen për luftimin e pandemisë Covid 19” thuhet në vendimin e Qeverisë të siguruar nga gazeta.
Ky vendim kishte shkaktuar panik te mjekët specializantë të cilët thonë se ato të hyra financiare i kanë burimin e vetëm.
Njëri nga specializantët në kushte anonimiteti thotë për Gazetën Sinjali se kjo është padrejtësi e madhe ndaj tyre.
“Mjekët Specializantë janë mjekët të cilët më së shumti kontribojnë në luftën kundër Pandeminsë COVID-19 por kjo si duket nuk i intereson aspak kësaj Qeverie e cila përkundër këtij fakti me vendimin e sotëm u’a ndal pagat mjekëve Specializantë” thotë njëri nga specializantët për Gazetën Sinjali.
Vendimi po del të jetë i pa sqaruar mirë. Vetëm pas insistimit të vazhdueshëm të Gazetës Sinjali, Ministria e Shëndetësisë sqaroi se pagat e specializantëve nuk do të preken.
“Ministria e Shëndetësisë informon publikun se transferimi i kërkuar nuk prek pagat e Specializantëve vullnetarë, të cilët financohen/marrin rrogë nga kategoria ekonomike e subvencioneve dhe transfereve programi 90300. Aftësimi Specialistik (vetëm emri i programit), të cilët financohen në përputhje me Udhëzimin Administrativ respektiv” thuhet në përgjigjen e MSH-së për Gazetën Sinjali.
Mjekët ankohen se duke qenë në vijën e parë të frontit në luftën me COVID-19 ata duhet të trajtohen më me seriozitet nga institucionet , sipas tyre vendimet si këto duhet të sqarohen mirë e të mos shkaktojnë konfuzion te ata.
“Ne kemi nevojë të përqëndrohemi në punë e të mos humbim vëmendjen me vendime të cilat nuk janë të sqaruara mirë, normalisht se lajmi që do të prekemi financiarisht ndikon keq te secili prej nesh, ne nuk kemi të ardhura tjera” u shpreh një specializant tjetër për Gazetën Sinjali./Gazeta Sinjali/