image Vendi në zgjedhje apo mundësi për lojë politike – çfarë ndodhë nëse nuk ka koalicion LDK-VV

Politikë/ Vendi në zgjedhje apo mundësi për lojë politike – çfarë ndodhë nëse nuk ka koalicion LDK-VV

news image

Analisti politik nga Instituti Demokratik i Kosovës, Artan Murati, ka parashikuar skenarët e mundshëm që do të ndodhin më datë 26 dhjetor, kur edhe do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së shtatë të Kuvendit.

Murati, thotë se në rast se nuk arrihet marrëveshja për koalicion, Vetëvendosja si partia më e madhe dhe fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, duhet ta propozojë emrin e kryeparlamentarit.

Në rast se nuk votohet, duhet konsensus për një tjetër propozim. Dhe, meqenëse s’ka afat për konstituimin e Kuvendit, seanca mund të bllokohet, dhe siç shkruan Murati, “këtu fillojnë lojërat politike”.

Skenarët sipas Muratit:

Tri skenarët e seancës konstituive të Kuvendit, të enjten

I pari, me i miri: arrihet marrëveshja e koalicionit. Zgjedhja e Kryetarit dhe e Kryesisë bëhet shpejt e thjeshtë. Deputetët betohen, konstituimi kryhet.

I dyti: nuk ka marrëveshje. VV e propozon kandidatin për Kryetar Kuvendi. Nëse votohet, mirë. Nëse nuk votohet, fillojnë telashet. Rregullorja e Punës së Kuvendit nuk parasheh çka ndodhë nëse votimi është negativ. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se propozimin për Kryetar të Kuvendit e mbanë ekskluzivisht grupi më i madh parlamentar, që i bie Lëvizja Vetëvendosje.

Nëse nuk kalon i pari, duhet konsensus për propozimin tjetër.

I treti, më i keqi: meqenëse nuk ka afat për konstituim të Kuvendit, dhe meqenëse veç LVV e ka të drejtën për propozim të emrit për Kryeparlamentar, seanca mund të bllokohet. VV nuk paraqet propozim, ose nuk merr pjesë në seancën konstituive. Këtu fillojnë lojërat tjera politike.

“Shpresoj që do të ndodhe skenari i parë. Nuk kemi kohe për të humbur, as edhe një ditë të vetme”, shkruan Murati.