Në Ohër në Maqedoninë e Veriut është mbajtur Konferenca Regjionale me përfaqësuesit e nivelit të lartë të qeverive nga vendet e Ballkanit Perëndimor me ç’rast është miratuar Udhërrëfyesi Rajonal mbi Anti-korrupsion dhe Financat e Paligjshme, transmeton Gazeta Sinjali.
Në këtë konferencë Kosova është përfaqësuar nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe nga Ministri i Punëve të brendshme, Xhelal Sveçla.
Ministrja e Drejtësisë është shprehur se prioritet i Qeverisë së Kosovës është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit e cila pikë programore ishte votuar nga mbi 50 përqind e qytetarëve në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti.
Haxhiu deklaroi se në këtë periudhë ata kanë miratuar koncept-dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe hartimin e projektligjit, kompletimin e miratimit të pakos ligjore kundër-korrupsion, zhvillimin e procesit të vettingut si një hap i rëndësishëm në rritjen e integritetit dhe besimit në sistemin e drejtësisë si dhe hapat tjerë konkret të cilat do t’i ndërmerr Ministria e Drejtësisë në drejtim të shtimit të kapaciteteve profesionale dhe njerëzore në drejtim të adresimit të luftës kundër-korrupsion.
Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se sundimi i ligjit dhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit janë parakusht për një shtet të së drejtës dhe një shtet zhvillimor, prandaj ne jemi të qartë në vizionit tonë në këtë drejtim.
Udhërrëfyesi Rajonal Anti-korrupsion është dokument i cili është rezultat i punës së delegacioneve nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vjen si rezultat i dakordimeve të kryeministrave si pjesë e procesit të Berlinit. Të pranishëm të tjerë në këtë konferencë kanë qenë Republika e Kosovës, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia. /GazetaSinjali/