Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka folur sërish për shkarkimin e tij nga kryeministri Albin Kurti. Veliu ka folur fjalë të rënda për kryeministrin Kurti, e ka quajtur tinëzar, frikacak e të paguximshëm.
“Kryeministri Kurti nuk ka guxim të marrë vendime që janë përgjegjësi e tij. Është vërtetu që është frikacak, edhe tinëzar se ka bërë veprim tinëzisht pa paralajmërim, pa konsultim me kryetarin e LDK-së. Vetëm logjika e Koresë i duron ato”, tha Veliu gjatë një interviste në RTK, transmeton Gazeta Sinjali.
Më tej, tha se kryeministri Kurti mbrëmë ka gënjyer publikisht për arsyet e shkarkimit të tij.
“E gënjeu publikun në konferëcën me gazetarë, bën gënjeshtra që janë tepër të turpshme. Jam shkarku për shkak të mllefit që është akumulu me kohë ndaj meje, i ndihmuar nga ndonjë mik ose mikeshë e tij -nuk e di”, shtoi më tej ai.
Mbledhja e nënshkrimeve për inicimin e mocionit të mosbesimit do të ndodh sot gjatë ditës, ka shtuar Veliu. /Gazeta Sinjali/