image Veliu ia shuan shpresat LVV-së, deklarohet para mbledhjes së LDK-së

Kosovë

Negociatat/ Veliu ia shuan shpresat LVV-së, deklarohet para mbledhjes së LDK-së

news image

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ia ka shuar shpresat Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshim qëndrimesh në LDK.

Veliu ka paralajmëruar se mbledhja e sotme e kryesisë së partisë nuk do ta ndryshojë ofertën e fundit dërguar LVV-së. Sipas tij, Kryesia e LDK-së do të rrijë prapa qëndrimeve të fundit për koalicion me LVV-në, shkruan Gazeta Sinjali.

“Ne kemi dhënë ofertën tonë dhe jemi në pritje që Lëvizja Vetëvendosje të deklarohet, përndryshe diçka tjetër nuk kemi. Është çështje e kryesisë sot, nuk e di çka do të vendosë kryesia. Oferta jonë është ajo çka është dhënë dhe është parimore, sigurisht që edhe kryesia e LDK do të qëndrojë aty”, ka thënë Veliu.

Këto komente Veliu i ka bërë me rastin e 14-vjetorit të vdekjes së presidentit hisorik të Kosovës, Ibrahim Rugova, pas homazheve te varri i tij.

“E kujtojmë arkitektin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës me të cilin bota demokratike gati dy dekada e personifikoi Kosovën”, ka thënë Veliu.

Nga ora 14:00 është paraparë të mbahet mbledhja e Kryesisë së LDK-së.

Kjo mbledhje vjen një ditë pasi presidenti Hashim Thaçi dekretoi si mandatar për formimin e qeverisë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin. /Gazeta Sinjali/