Nga mbledhja e kryesisë së LDK-së sapo kanë dalë disa nga anëtarët e saj. Para gazetarëve ka dalur nënkryetari i LDK-së Agim Veliu i cili nuk e pohoi as nuk e mohoi që kreu aktual i partisë Isa Mustafa, do të jetë kandidat konsensual për kryetar të LDK-së. Veliu nuk e ka përjashtuar veten si kandidat për të parin e partisë, ka thënë se është e drejtë e secilit për të paraqitur kandidaturën.
“Po punojmë intensivisht përgatitjet finale për Kuvendin e nesërm që do të jetë i qetë dhe të kalojë në frymën e një partie serioze dhe mirë të organizuar siç i ka hije LDK-së dhe kjo të jetë kulmi i gjithë asaj bukurie që ka ndodhë në degë dhe nëndegë”, tha Veliu, transmeton Sinjali.
I pyetur se a ka nje konsensus që Isa Mustafa të jetë kandidat konsensual, Veliu tha se po punohet intensivisht për arritjen e një konsensusi të përgjithshëm për një kandidat konsensual.
“Nuk ka diçka konkrete, po punojmë intenzivisht për një konsensus shumë të madh”.
Në interesimin e gazetarëve se a do të kandidoj vetë Veliu për kryetar të partisë, ai tha se gjithçka do të dihet nesër.
“E drejtë e secilit është me u kandidu, kandidaturë ka të drejtë të paraqes secili delegat i Kuvendit, kjo është rregulluar me normat e statutit me dispozita dhe nesër është dita kur do të shpallen kandidaturat në Kuvend në bazë të statutit”.
Nenkryetari tjetër i LDK-së Lutfi Haziri, nuk ka dashur të përgjigjet për mbledhjen e Kryesisë, shkurt ka thënë se pas gjysmë ore do të dalin me një qëndrim. /Sinjali