image Mustafa: Duhet kthyer te njohja reciproke, të hiqet dorë nga marria e fortifikimit të kryetarëve në “kulla” komunale

Politikë

Mustafa: Duhet kthyer te njohja reciproke, të hiqet dorë nga marria e fortifikimit të kryetarëve në “kulla” komunale

news image

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka folur lidhur me deklaratën e zëvëndëskryeministrit Besnik Bislimi të dhënë në “Danas” e ku Bislimi e pranon që Kosova ka bërë një lëshim të madh në Ohër duke heqë dorë nga njohja formale.

Mustafa ka thënë se synimi kryesor i dialogut Kosovë-Serbi ka qenë arritja e njohjes reciproke, megjithatë thotë se nën drejtimin e Kurtit, dialogu është shndërruar një proces menaxhimi i krizave të cilat i shkaktojnë të dy palët për kalkulime te brendshme politike.

“Objektivi bazë i dialogut Kosovë – Serbi ka qenë zgjidhja e mosmarrëveshjeve për të arritur njohje reciproke. Me këtë qeveri,  dialogu  ka kaluar në trase tjetër, atë të menaxhimit të krizave, të cilat i shkaktojnë të dyja palët për konsum të brendshëm politik”, ka thënë ish-kryeministri.

Ish-shefi i ekzekutivit kosovar tutje shton, se Qeveria e Kosovës fillimisht bënë veprime populliste kinse për ta shtrirë sovranitetin, veprime të cilat më pas i shesin tek “qytetarët e painformuar”, dhe më pas tërhiqen pas qortimeve dhe sanksioneve ndërkombëtare.

“Njëherë bëjnë veprime populliste në veri të vendit kinse po e shtrijmë sovranitetin dhe këto veprime i shesin te qytetarët e painformuar, dhe mëpastaj tërhiqen heshturazi pas qortimeve dhe sanksioneve “për të kënaqur” ndërkombëtarët”, shprehet Mustafa.

Ai thotë se politika të tilla për Kosovën janë krejtesisht të gabuara dhe jashtë interesave strategjike të shtetit.

 Duke folur për Marrëveshjen e Ohrit, Mustafa thotë se me pranimin e Qeverisë që është hequr dorë nga njohja formale dhe duke shtuar mungesën e vullnetit për implementim, është më e rëndë dhe me pasjoa të pa parashikueshme në krahasim me Marrëveshjen e vitit 2013.

“Marrëveshja e fundit e pranuar, e propaganduar fuqishëm nga qeveria për njohje faktike ( por tani e deklaruar nga e njëjta se është bërë lëshim i madh sepse është hequr dorë nga njohja formale), me munges të vullnetit për implementim është më e rëndë dhe me pasoja të pa parashikueshme në krahasim me Marrëveshjen e Parë”, ka potencuar ai për Gazetën Express.

Mustafa thotë se nga një marrëveshje politike me synim shtrirjen e sovranitetit, njohjen reciproke, anëtarësime dhe njohje ndërkombëtare është kaluar në marrëveshje për status quo.

Ish-kryeministri Mustafa thotë se vonesat në procesin e dialogut më së paku i konvenojnë Kosovës dhe se shkojnë në favor të Serbisë “për të vënë në harresë krimet e luftës së fundit dhe për rekuperim politik dhe ekonomik në botën perëndimore”.

Në fund njeriu që ka drejtuar LDK-në për disa vite thotë se Kosova do të duhej ta rikthejë sa më shpejtë fokusin e bisedimeve në njohje reciproke dhe të heqë dorë nga marritë e fortifikimit të kryetarëve në ato që i quan “kullat e komunave”, e ku nuk shkon askush për të marrë shërbime.

“Kosova do duhej ta rikthejë sa më shpejtë fokusin e dialogut në njohje reciproke e të heqë dorë nga marritë e fortifikimit të kryetarëve në “kullat” e komunave, në të cilat s’shkon asnjë qytetar për të kërkuar shërbime”, ka përfunduar Isa Mustafa.

Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për gazetën serbe “Danas” teksa ka folur për marrëveshjen e fundit Kosovë-Serbi të arritur në Ohër, ka thënë se Kosova ka bërë një lëshim të madh duke hequr dorë nga njohja formale e Serbisë.

“Serbia është pajtuar me tekstin e Marrëveshjes dhe zbatimi i plotë i saj na çon në një situatë të re dhe më stabile se sa kemi tani. Me Marrëveshjen Bazike (27 shkurt) Serbia është pajtuar që ta trajtojë Kosovën si një anëtare të barabartë sovrane, ka njohur integritetin tonë territorial, ka rënë dakord të mbajë marrëdhënie normale si me të gjithë fqinjët e tjerë dhe të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ne e kuptojmë se njohja formale nuk është aty dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës. Është e rëndësishme që ne të ndërtojmë marrëdhënie të qëndrueshme si anëtarë të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë zvëndëskryeministri Bislimi kur është pyetur për atë se çfarë pritet të ndodh në takimin e radhës Kosovë-Serbi pasi Marrëveshja e Ohrit s’po respektohet.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vucic do të takohen më 14 shtator në Bruksel. Sipas të gjitha gjasave një prej pikave kryesore të diskutimit do të jetë plani i sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, dhe gjithashtu edhe situata në veri dhe zgjedhjet në katër komunat veriore.

/GazetaSinjali/