image Veliaj e nderon Hotin me “Çelësin e Tiranës”

Politikë

Veliaj e nderon Hotin me “Çelësin e Tiranës”

news image

Në 100-vjetorin e dytë të shpalljes kryeqytet i Shqipërisë, Tirana i dha kryeministrit të Kosovës “Çelësin e qytetit”, si simbol i një dere të hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, i cili zgjodhi kryeqytetin shqiptar për vizitën e tij të parë zyrtare.

“Teksa futemi në 100-vjetorin e dytë të Tiranës kryeqytet, besoj se ajo do të jetë edhe më e hapur për biznes, për të rinjtë dhe ata që e shohin si shtëpinë e tyre të dytë. Jam i lumtur që folëm me kryeministrin për mundësitë e të rinjve dhe do të doja shumë që Karta e Studentëve të Shqipërisë të vlejë në Kosovë. Ne jemi shumë të gatshëm që kartat e studentëve kosovarë të vlejnë në Tiranë dhe të përfitojnë nga këto lehtësira. […] Në emër të gjithë qytetit të Tiranës, të Këshillit Bashkiak, të stafit tonë, dua t’ju dhuroj Çelësin e qytetit”, tha Veliaj.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, falënderoi kryebashkiakun Veliaj për këtë nderim dhe shprehu vlerësimet për punën e tij në mirëmenaxhimin e qytetit të Tiranës.

“Jam vërtet i nderuar në 100-vjetorin e Tiranës edhe si dikush që ka punuar në pushtetin lokal ju kam zili për pasionin që keni për punën. Ju uroj çdo të mirë edhe sukses”, tha Hoti.

Veliaj dhe Hoti biseduan edhe për krijimin e lehtësirave për studentët në të dyja anët e kufirit.

Ai vlerësoi edhe dakordësinë e arritur mes dy kryeministrave për të rritur bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, e veçanërisht atë për Portin e Durrësit./Gazeta Sinjali/