image Vdes Beqir Aliu, një ndër figurat më të rëndësishme të FC Prishtinës

Futboll

Vdes Beqir Aliu, një ndër figurat më të rëndësishme të FC Prishtinës

news image

Ka ndërruar jetë Beqir Aliu, një ndër figurat më të rëndësishme të klubit FC Prishtina.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë skuadra prishtinase përmes një shkrimi në Facebook.

Beqir Aliu ka qenë kryetar i parë i klubit FC Prishtina pas pavarësimit të futbollit të Kosovës nga ai ish-jugosllav në vitin 1991.

Aliu në vitet më të vështira, ato të 90-ta, ishte ndër njerëzit e parë që u tha “jo” ish-regjimit serb. Postin e kryetarit të klubit e ka mbajtur nga viti 1991 deri në vitit 2001.

Prishtina në krye me Beqir Aliun i rendiste sukseset edhe në Ligën paralele. Gjatë kësaj kohe, Prishtina fitoi tre tituj kampioni (1991/92, 1995/96, 1996/97), dy Kupa të Republikës së Kosovës (1993/94 dhe 1994/95) dhe dy Superkupa të Kosovës (1994/95 dhe 1995/96).

Pas përfundimit të luftës Prishtina vazhdoi aktivitetin e saj normalisht dhe pas tetë viteve dëbimi kthehet në stadiumin e saj. Sukseset i vazhdoi si më parë duke u shpallur kampione në vitin 1999/2000.

Aliu u largua nga posti i kryetarit të klubit në qershor të vitit 2001. Ai ishte edhe anëtar në kryesinë e parë të Federatës së Futbollit të Kosovës në vitin 1991. Në altarin e lirisë ra heroikisht vëllai i tij Bajrami, emrin e të cilit e mban Stadiumi i qytetit në Skenderaj. Emri dhe vepra e Beqir Aliut është shkruar me shkronja të arta në historinë e klubit.

“Vdekja e tij është një humbje e madhe për Prishtinën dhe futbollin e Kosovës dhe veprat e tij do të jenë udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të”.

/GazetaSinjali/