Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prizren për ta dënuar me burgim të përjetshëm, Shefki Spahiun, ish-rreshterin e Policisë së Kosovës, për vrasjen e Jetmir Aliajt, ish-punëtorit të një kazinoje në Suharekë, ka folur për Gazetën Sinjali, A.Aliaj, gruja e të ndjerit, e cila tha se e ka pritur këtë vendim.
Ajo mbrëmë për Gazetën Sinjali ka rrëfyer ekskluzivisht rreth këtij rasti tragjik, për të cilin thotë se ia ka shkatërruar jetën.
“Mbase në Kosovë nuk ka dënim më të ashpër, këtë e kam pritur. Është dënim shumë i merituar“, ka thënë ajo për Gazetën Sinjali.
Madje ajo ka thënë se Spahiu meriton më shumë se sa Gjykata ka marrë vendim ndaj tij.
“Meriton më shumë se kaq, ai kriminel. S’kam çfarë të them më shumë, vdektë për së gjalli”, është shprehur ajo.
Spahiu u shpall fajtor për aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur më 31 maj të vitit 2019, sipas të cilës, më 17 mars të po atij viti në Suharekë, në një kazino, e cila gjendet në rrugën e Reshtanit, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore ka privuar nga jeta Jetmir Aliajn, punëtor i kazinosë.
Gazeta Sinjali publikoi mbrëmë rrëfimin ekskluziv të bashkëshortes së të ndjerit, Jetmir Aliajt, A.A., e cila kërkoi që Shefki Spahiu të dënohet me burg të përjetshëm dhe tha se po të ishte në dorën e saj, ajo do ta kishte ekzekutuar të dyshuarin.