Mijëra persona kanë marrë pjesë në funeralin e gjeneralit iranian, Qassem Soleimani, në Irak, i cili u vra përmes një sulmi me dron nga forcat amerikane afër aeroportit të Bagdadit.
Trupat e udhëheqësit të lartë ushtarak iranian dhe disa të vrarëve të tjerë u përcollën nëpër rrugët e Bagdadit nën brohoritjet “vdekje Amerikës”. Zyrtarët iranianë thanë se ceremonia përfundimtare e funeralit do të zhvillohet të dielën në Tehran.
Funerali i Soleimanit filloi në tempullin “Imam Kadhim” në Bagdad, i cili është njëri prej tempujve më të respektuar nga shiitët. Shumë prej njerëzve që morën pjesë në këtë ceremoni brohorisnin “vdekje Amerikës, vdekje Izraelit”.
Në ceremoni morën pjesë kryeministri i Irakut, Adel Abdul-Mahdi, dhe liderët e grupeve militante që përkrahen nga Irani, shkruan “The Guardian”.
Qasem Soleimani ishte gjeneral i lartë në Trupat e Rojeve Revolucionare të Iranit dhe nga viti 1998 ishte komandant i forcave Kuds, të cilat janë kryesisht përgjegjëse për operacionet e jashtme dhe klandestine.
Ai e kishte filluar karrierën ushtarake në luftën mes Iranit dhe Irakut në vitet e tetëdhjeta, kur kishte shërbyer si komandant i Divizionit të 41-të. Më vonë, ai u angazhua në operacione të jashtme, duke ofruar ndihmë ushtarake për Hezbollahun në Liban. Në vitin 2012, Soleimani i ofroi ndihmë edhe qeverisë së diktatorit sirian, Bashar Al Assad, i cili është aleat i rëndësishëm i Iranit. Ai dha asistencë edhe për forcat shiite në Irak, të përkrahura nga Tehrani.
Soleimani u vra nga një sulm me dron nga forcat amerikane më 3 janar, përderisa ishte duke udhëtuar me një veturë afër aeroportit të Bagdadit. Përpos tij, në këtë sulm mbetën të vrarë edhe disa pjesëtarë irakianë të Forcave Popullore të Mobilizimit. Në pozitën e tij tashmë është emëruar gjenerali Esmail Ghaani./Gazeta Sinjali/