image Vdekja e 6-vjeçarit pasi i ranë dyert e metalit, Gjykata merr vendim për përgjegjësin e kompanisë

Drejtësi

Vdekja e 6-vjeçarit pasi i ranë dyert e metalit, Gjykata merr vendim për përgjegjësin e kompanisë

news image

I akuzuari N.L, është dënuar me 1 vit burgim efektiv, pasi u shpall fajtor se nga pakujdesia, duke mos i siguruar pajisjet mbrojtëse, dyert me lëvizje rotative në binarë metalik janë rrëzuar dhe kanë lënë të vdekur 6-vjeçarin F.M.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të hënën nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabedin Mushica, shkruan Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, N.L, e ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 3 shtator.

Vepra penale për të cilën u shpall fajtor “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” nga neni 358, paragrafi 6 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Kosovës, është e dënueshme deri në 12 vite burg.

Sipas prokurorisë, në gusht të këtij viti, në fshatin Kmetovcë në Gjilan, i pandehuri N.L, si pronar dhe person përgjegjës i ndërmarrjes “Adea Metal” nuk ka siguruar pajisjet mbrojtëse, nuk i ka mirëmbajtur ato në gjendje të rregullt dhe nuk ka siguruar përdorimin e tyre sipas rregullave, ku gjatë përdorimit të tyre në oborrin e shtëpisë, në pjesën ku është dashur të montohen dyert e oborrit, dyert me lëvizje rotative në binarë metalik janë rrëzuar dhe kanë zënë tani të ndjerin F.M i moshës 6-vjeçar.

Shënim: Personat e përmendur në këtë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë. /Gazeta Sinjali/