image Vazhdon vaksinimi me dozën përforcuese, apelohet tek qytetarët që të vaksinohen

Shëndetësi

Vazhdon vaksinimi me dozën përforcuese, apelohet tek qytetarët që të vaksinohen

news image

Edhe gjatë kësaj fundjave ka vazhduar vaksinimi i qytetarëve me dozën përforcuese kundër koronavirusit.

Derisa dje interesimi për vaksinim ishte më i madh, sot në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kalabria në Prishtinë kishte një numër më të vogël të atyre që kishin shkuar për të marrë dozën përforcuese.

Qytetarët thonë se vaksinimi është mënyra e vetme për të luftuar pandeminë me koronavirus, derisa u bëjnë thirrje edhe të tjerëve që të mos hezitojnë, por të shkojnë dhe të marrin vaksinat, pasi në këtë mënyrë ata mbrojnë shëndetin e tyre, por edhe të tjerëve.

Aziz Osmani tregon për KosovaPress se vitin e kaluar ishte prekur me COVID-19 dhe se tash ai ka marrë dozën përforcuese dhe se po ndjehet mirë.

Jam vaksinuar me dozën e tretë tani. Patjetër se ne rrugë tjetër nuk kemi. Unë dozën e dytë e kam marr më datën 02/09/2021 që domethënë tani i kam bërë katër muaj, mirëpo sipas rekomandimeve të mjekeve mund të merret doza para gjashtë muajve. Kështu që kemi pa të arsyeshme me marr edhe dozën e tretë… Kam qenë i diagnostikuar me COVID-19 në vitin e kaluar. Stafi është i mrekullueshëm dhe për çdo lëvdatë. Respekt për punën që e bëjnë këtu”, ka thënë Osmani.

Muhamet Rexhepi, i cili mori sot dozën përforcuese, u bën thirrje qytetarëve të tjerë që të vijnë për t’u vaksinuar.

Me dozën e tretë. Ka qenë shumë mirë në rregull për atë edhe erdhëm edhe vullnetarisht të marrim edhe të tretën si obligim që kemi. Apelimi duhet të jetë për të gjithë që ta marrin dhe t’i kryejnë obligimet e veta. I apeloj të gjithë se është për shëndetin tonë dhe asgjë tjetër”, ka thënë ai.

Njëri nga qytetarët që ia kishte mësyrë sot qendrës së vaksinimit në Prishtinë ishte edhe qytetari Rafuna.

Me të tretën (dozë). Apeli im është që të vaksinohen, pasi që kjo është për të mirën e tyre. Është për të mirën tonë vaksinimi i popullatës edhe bëj apel që të vaksinohen sa me shumë prej 18-vjeç”, ka thënë Rafuna.

Pandemia koronavirus tashmë ka hyrë në vitin e tretë në të gjithë botën, duke përfshirë edhe Kosovën kur ishin paraqitur rastet e para në muajin mars të vitit 2020.

Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informon se deri më sot 789.946 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë, prej tyre 2.103 doza vetëm në 24 orët e fundit. Sipas institutit, prej fillimit të vaksinimit në Kosovë janë dhënë gjithsej 1.692.762 doza të vaksinës.

Nga 10.042 testime, 304 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19. Gjatë 24 orëve të fundit, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes. Sot janë shëruar tre qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 158.134. Në total numri i rasteve aktive është 1.552.

/GazetaSinjali/