21 milionë euro është shuma e parave që Bashkimi Evropian i ka ndarë për t’i investuar në ngrohjen qendrore në Prishtinë.
Përfaqësuesi Special i BE-së, Luigi Brusa, sot do ta vizitojë shkollën “Naim Frashëri” në kryeqytet, e cila së shpejti do të lidhet me rrjetin e ngrohjes qendrore të ofruar nga Termokosi.
Termokosi njofton se janë duke u zhvilluar punime në vlerë prej 6 milionë eurosh për zëvendësimin e gypave ekzistues me qëllim të përmirësimit të besueshmërisë dhe cilësisë së furnizimit me ngrohje për konsumatorët ekzistues, si dhe për të zgjeruar furnizimin me ngrohje për klientët e rinj në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Aktualisht janë në përfundim punimet për të lidhur lagjen Kalabria, kopshtin e fëmijëve “Buzëqeshja”, Fakultetin e Arkitekturës dhe Stacionin policor nr. 2. Në lagjen Dardania janë zëvendësuar disa prej gypave dhe nënstacioneve të vjetra, ndërsa në Bregun e Diellit pothuajse kanë përfunduar punimet në zëvendësimin e gypave për të përmirësuar cilësinë e furnizimit me ngrohje. Vitin e ardhshëm punimet do të vazhdojnë me shtrirjen e rrjetit në lagjen Mati”, thuhet në njoftimin e Termokosit.
Sipas programit IPA 2015, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë mbështet më zhvillimin e infrastrukturës energjetike në vend përmes përmirësimit të rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë, si dhe të impiantit të ri të ngrohjes me biomasë në Gjakovë, me vlerë prej gjithsej 21 milion eurosh. /Gazeta Sinjali/