image Vazhdon gjykimi ndaj Salih Mustafës në Hagë

Drejtësi

Vazhdon gjykimi ndaj Salih Mustafës në Hagë

news image

Sot, duke filluar nga ora 09:30 e deri në orën 16:00, në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafës, raporton Gazeta Sinjali.

Në seancën e djeshme është dëgjuar dëshmia e dëshmitarit të parë në këtë rast.

Dëshmitari i parë kundër Salih Mustafës në Hagë ka thënë se nuk e mban mend ditën kur thotë se është marrë nga disa persona që i janë prezantuar si pjesëtarë të UÇK-së, por ka deklaruar se është liruar me datë 18 që, sipas tij, ishte dita kur kishte nisur ofensiva në Zllash.

“E lidhi atë datë se me 18 ka ra ofensiva, për atë e di. Ka qenë në Zllash ofensiva, në Zllash më 18 dhe na kanë liruar, dhe na kanë liruar shkaku i ofensivës. Na liruan, na thanë ikni se ofensiva ra…Unë nuk e kam parë ofensivën, por na kanë thënë aty kur kemi dalë jashtë, ikni se ofensiva ra e nuk dimë na kah të shkojmë”, ka thënë dëshmitari.

“Mu kanë dashur krejt diku 5-6 orë krejt… Kam harruar, më duket në orën 11:00 ka qenë (kur na kanë liruar)”, ka thënë dëshmitari.

Ndërsa për momentin e ndalimit, dëshmitari ka thënë se personat i janë prezantuar si policë ushtarakë dhe ka theksuar se i kanë thënë që të shkojë me ta deri në Zllash meqë kanë diçka të bisedojnë.

Dëshmitari ka thënë se e ka pasur kokën në thes që prej momentit kur e kanë futur në makinë.

Pjesën e tretë të seancës së djeshme, Mustafa, me aprovimin e trupit gjykues, e ka përcjellë përmes video-lidhjes.

Vetë Mustafa në fillim të seancës kishte kërkuar fjalën ku kishte deklaruar se kohët e fundit po përballet me stres, por me të filluar të numërojë faktorët për këtë gjendje të tij, seanca ka vijuar e mbyllur.

Trupi gjykues ka njoftuar se Mustafa do të ketë të drejtën t’i përcjellë seancat përmes video-lidhjes, por në raste të caktuara ai do të mund të ftohet nga trupi gjykues që të jetë prezent në sallë.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja. Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me akuzat për krime lufte dhe kundër njerëzimit.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm./Gazeta Sinjali/