image Vazhdon avazi i vjetër i festave me armë zjarri, arrestohet një person në Mitrovicë

Siguri

Vazhdon avazi i vjetër i festave me armë zjarri, arrestohet një person në Mitrovicë

news image

Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Për një rast të tillë, që ka ndodhur mbrëmë në fshatin Kovaçicë të Mitrovicës, ka nisur hetimet Prokuroria, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se të shtënat me armë janë dëgjuar në një shtëpi ku po mbahej një aheng, me ç’rast Policia është aktivizuar posa ka marrë informacionin dhe ka dalë në vendin e ngjarjes.

Sipas informacioneve të para, pronari i shtëpisë ka gjuajtur disa herë më armë, gjë që e ka pranuar edhe vet ai. I njëjti ka dorëzuar armën, ndërkohë që është shoqëruar në stacion policor.

Ndaj të dyshuarit, burimet thonë se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprave penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve’ dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Kujtojmë se ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve.

/GazetaSinjali/