image Vazhdon arrestimi i kërcënuesve të Zana Avdiut: Ky është i dyshuari tjetër që u arrestua sot

Siguri

Vazhdon arrestimi i kërcënuesve të Zana Avdiut: Ky është i dyshuari tjetër që u arrestua sot

news image

Dy persona nga dhjetëra të dyshuar të cilët janë denoncuar nga aktivistja Zana Avdiu kanë rënë në prangat e Policisë. Ajo ka qenë në fokus të kërcënimeve pas reagimit të saj  në lidhje me kritikën që i bëri gjestit të Granit Xhakës në ndeshjen mes Zvicrës dhe Serbisë.

Sinjali raportoi mbrëmë se i dyshuari i parë që u arrestua është Ensar Bajraktari, 22-vjeçar, teksa sot është kapur edhe një person.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari i fundit që është identifikuar dhe arrestuar  është Qendrim Berisha, 23-vjeçar.

I njëjti është shoqëruar sot në stacion policor për intervistim dhe pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për veprën penale “Kanosje”.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije për Sinjalin se hetuesit policorë po vazhdojnë identifikimin e  personave të tjerë të dyshuar, të cilat janë përfshirë në kërcënimet ndaj aktivistes.

Kujtojmë se familja e futbollistit Xhaka, po mendon ta padisë Avdiun, pasi ajo e cilësoi sjelljen e tij si të një rrugaçi gjatë fitores së Zvicrës 3:2 kundër Serbisë në Kupën e Botës.

Avdiu e kritikoi Xhakën pse i kapi organet gjenitale kur iu drejtuar bankës serbe dhe i shau ata me nënë gjatë ndeshjes së tensionuar në Katar.

Ajo shkroi pas ndeshjes: “Akti i Granit Xhakes, eshte per turp. Akt prej nje rrugaçi. Dhe, fatkeqesia eshte, qe asnje nuk la pa e shpernda ate foto. Pra, zero nivel, ne nje shtet te tane!”

I ashpër ndaj saj ishte babai i Granitit, Ragip Xhaka, i cili e kërcënoi atë gjatë një lidhjeje direkte në emisionin “Favorit”.

“Ke kujdes shumë për familjen Xhaka që shkruan se do përgjigjesh në çdo mënyrë. Por, pastaj është shumë vonë. Ti nuk e di çfarë do të ndodh”, i tha Ragip Xhaka.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/