Forcat e rendit po vazhdojnë me aksionin për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave dhe sekuestrimin e aparaturave që përdoren për këtë veprimtari, raporton Gazeta Sinjali.
Policia e rajonit të Prishtinës njofton se në bashkëpunim me Doganën dhe ekipin e KEDS-it, sot ka sekuestruar tri aparate për prodhimin e kriptovalutave dhe 16 kartela grafike.
Këto aparate u sekuestruan gjatë një bastisjeje në rrugën “Fahri Fazliu”, në Fushë-Kosovë.
“Më datë 13.01.2022, njësitet policore të Fushë Kosovës, në bashkëpunim me ekipin e KEDS dhe zyrtarët e Doganës së Kosovës, në rrugën ‘Fahri Fazliu’, në Fushë-Kosovë, kanë gjetur dhe sekuestruar 3 aparate për prodhimin e kriptovalutave dhe 16 kartela grafike”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Prodhimi i kriptovalutave në Kosovë është ndaluar në fillim të këtij viti me një vendim të Ministrisë së Ekonomisë, i cili obligon organet e rendit që të sekuestrojnë kudo që hasin pajisje për prodhimin e monedhave digjitale./GazetaSinjali/