image Vazhdojnë hetimet për vdekjen e 15-vjeçares në QKUK, prokuroria nuk tregon nëse u intervistuan mjekët

Drejtësi

Vazhdojnë hetimet për vdekjen e 15-vjeçares në QKUK, prokuroria nuk tregon nëse u intervistuan mjekët

news image

Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke vazhduar hetimet lidhur me rastin e vdekjes së Anita Mehmetit, 15-vjeçares nga Fushtica e Epërme e Drenasit, shkruan Gazeta Sinjali.

15-vjeçarja nga Drenasi vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, mbrëmjen e 14 majit, pas disa ditë “shëtitjesh” nga Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve në atë të Pediatrisë.

Lidhur me këtë rast, prokuroria e kishte intervistuar babain e saj, Rrahim Mehmetin, por nga kjo prokurori nuk kanë treguar nëse është intervistuar ndonjë nga mjekët ose dikush nga stafi i këtyre klinikave.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, tha për Gazetën Sinjali se informacionet lidhur me personat e intervistuar nuk mund të bëhen publike për shkak se rasti është ende duke u hetuar.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se rasti po vazhdon të hetohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, andaj nuk mund të japim më shumë të dhëna, pasi rasti ndodhet në fazën e procesit hetimor”, thuhet në përgjigjen e Ulajt.

Ende nuk dihet shkaku i vdekjes së Anita Mehmetit, sepse babi i saj, i cili akuzon mjekët për vdekjen e së bijës, kishte refuzuar që trupit të pajetë të 15-vjeçares t’i bëhet autopsia.

“Unë nuk i lejova me ia bo autopsinë, e kemi marrë trupin. Ku me leju se ata sa ke gjallë çika nuk e merrshin në dorë. Çka me leju me ma pre aty çikën”, pati thënë Mehmeti për Gazetën Sinjali, një ditë pasi Anita ndërroi jetë. /Gazeta Sinjali/