Mijëra persona në Bosnje e Hercegovinë u mblodhën për të përkujtuar masakrën e Srebrenicës të vitit 1995, gjenocidin e vetëm të njohur të Evropës që pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë ditë, iu dha lamtumira e fundit 19 viktimave të sapo identifikuara.
Ekzekutimi i mbi 8 mijë myslimanëve boshnjakë nga forcat serbe, shumica burra dhe djem, përkujtohet me trishtim me një sërë aktivitetesh. Pas 26 vitesh nga masakra, 16 burra, 2 djem adoleshentë dhe një grua do të pushojnë në varrezën memoriale në hyrje të qytetit lindor, duke iu bashkuar mbi 6600 viktimave të tjera të masakrës, që janë rivarrosur aty.
Shumica e viktimave janë ndjekur dhe masakruar teksa përpiqeshin të largoheshin pasi Srebrenica u pushtua nga forcat serbe të Bosnjës më 11 korrik, edhe pse ajo zonë ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.
Trupat e tyre janë hedhur në varre masive për të fshehur krimet e luftës, por që u zbuluan pas përfundimit të luftës. Gjykatat ndërkombëtare kanë dënuar deri më tani, 47 persona me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë. Edhe ish-udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, me burgim të përjetshëm, si dhe ish-udhëheqësin ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiç, po me dënim të përjetshëm./Gazeta Sinjali/