Një nënvariant i Omicronit, variant shumë i transmetueshëm – i njohur si BA.2 – ka kapluar gjithë botën, duke shkaktuar rritje të rasteve të reja me koronavirus në Evropë e Azi dhe duke ngritur shqetësime për mundësinë e një vale të re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më poshtë është përmbledhja e asaj që dihet deri më tani për BA.2.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), BA.2 tani përfaqëson gati 86 për qind të të gjitha rasteve të reja.
Është edhe më i transmetueshëm se vëllezërit dhe motrat e tij shumë ngjitës Omicron BA.1 dhe BA.1.1, megjithatë sipas provave të deritashme nuk ka më shumë mundësi të shkaktojë sëmundje të rëndë.
Ashtu si me variantet e tjera në familjen Omicron, vaksinat janë më pak efektive kundër BA.2 sesa kundër varianteve të mëparshme si Alpha ose lloji origjinal i koronavirusit dhe mbrojtja bie me kalimin e kohës.
Megjithatë, sipas të dhënave të Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, mbrojtja rikthehet me një dozë përforcuese, veçanërisht për parandalimin e hospitalizimit dhe vdekjes.
Pasqyra globale
Për rritjen në masë të madhe të variantit BA.2 është fajësuar Kina, pas rritjes së rasteve të reja në këtë vend, si dhe infeksionet në numër rekord në vendet evropiane si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Megjithatë, disa vende evropiane tani kanë një rritje më të ngadaltë të rasteve të reja, apo edhe një rënie.
BA.2 është quajtur “variant i fshehtë” sepse është pak më i vështirë për t’u gjurmuar. Varianti BA.1 mund të gjurmohej përmes një testi të zakonshëm PCR.
BA.2 dhe “motra e saj”, BA.3, prania e së cilës gjithashtu po rritet, por aktualisht është në nivele të ulëta – mund të gjenden vetëm përmes sekuencimit (ndarjes) të gjenomit, të cilën disa vende e bëjnë më shumë se të tjerët.
Riinfektimet
Shqetësimi kryesor në lidhje me BA.2 ishte nëse nga ai mund të riinfektohen njerëzit që kishin pasur tashmë BA.1. Por, të dhënat nga Mbretëria e Bashkuar dhe Danimarka kanë treguar se derisa Omicroni mund të riinfektojë njerëzit që kishin variante të tjera si Delta, në mesin e dhjetëra mijëra rasteve, vetëm një pjesë e vogël e riinfeksioneve BA.2 janë gjetur te njerëzit që kishin BA.1.
Shkencëtarët thonë se një shpjegim i mundshëm për rritjen e fundit të BA.2 mund të jetë se rritja globale ndodhi në të njëjtën kohë kur shumë vende hoqën kufizimet.
“Mund të jetë thjesht se BA.2 ishte varianti që qarkullonte kur njerëzit filluan të mos mbanin maska kundër COVID-19”, tha Andrew Pekosz, nga Shkolla e Shëndetit Publik Johns Hopkins Bloomberg në Baltimore.
Eksperti tjetër amerikan, Eric Topol nga Kalifornia, tha se është “pak herët” të thuhet nëse edhe SHBA-ja do të përballet me një valë të BA.2.
Por, cilado qoftë arsyeja e rritjes së BA.2, shkencëtarët thanë se ky është një paralajmërim se virusi vazhdon të shkaktojë dëm, veçanërisht në mesin e popullatave të pavaksinuara, të vaksinuara pak dhe të cenueshme, shkruan REL.
“Është ende një problem i madh i shëndetit publik dhe do të vazhdojë të jetë”, tha Mark Woolhouse, epidemiolog në Universitetin e Edinburgut.