image Varianti britanik i koronavirusit është prezent në Kosovë

Shëndetësi

Varianti britanik i koronavirusit është prezent në Kosovë

news image

Autoritetet shëndetësore konfirmojnë se varianti britanik i koronavirusit është prezent në Kosovë. Ata thonë se ky variant po përhapet më shpejtë.

Nga mostrat e marra në gjithë Kosovën ka rezultuar që mbi 97 për qind e tyre kanë rezultuar pozitiv me koronavirusin britanik.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Izet Sadiku, tha për televizionin publik se në Kosovë ka numër të madh të të infektuarve me variantin britanik të COVID-19, dhe se ajo që e dallon këtë version nga dy valët e kaluara janë numri i madh i të infektuarve mes anëtarëve të një familje.

“Testet janë bërë vetëm dy herë në Kosovë për versionin britanik, dhe 97 për qind e testeve kanë rezultuar me tip britanik. Në aspektin e epidemiologjisë kemi vërejt që numri i anëtarëve të familjes është më i madh krahasuar me periudhën e mëhershme. Pra kjo tregon se virusi po përhapet më shpejt”, tha Sadiku.

Mes tjerash, Sadiku i konsideron të duhura masat e Qeverisë, duke shtuar se do të ketë më pak raste. Por ai thotë se vaksinimi sa më i madh i qytetarëve e fut virusin nën kontroll. 

Por jo edhe infektologu Ilir Tolaj mendon se vendi duhet të qëndroj i mbyllur. Ai tha se të dhënat e fundit tregojnë se megjithëkëtë ka rënie të numrit të rasteve të reja, ndonëse po flitet që ky variant ka një aftësi të përcillet shumë më lehtë.

“Si pasojë e gjithë kësaj mendoj që nuk ka nevojë për masa shtesë dhe sa më shpejt që i kthehemi normalitetit në kuptim të vaksinimit masiv të popullatës dhe duke i respektuar masat minimale do të ishte e vetmja rrugë. Varianti britanik tash është prezent pothuajse në gjithë Evropën nuk ka ndonjë shmangie të dukshme nga situata që ka qenë më herët. Ky variant përhapet më lehtë por në aspektin e vdekshmërisë nuk dallon nga rastet e mëhershme”, tha Tolaj.

Ai shtoi se ajo që e dallon Kosovën nga vendet tjera dhe vendet e Evropës e që ata  kanë masa më të ashpra,  është mosha e popullatës, e që Kosova e ka shumë më  të  re së pothuajse gjitha vendet e Evropës./Gazeta Sinjali/