image Varhelyi viziton nesër Kosovën, do t'i takojë krerët e shtetit e opozitën

Politikë

Varhelyi viziton nesër Kosovën, do t’i takojë krerët e shtetit e opozitën

news image

Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, do ta vizitojë Kosovën më 25 maj, me ç’rast pritet të takohet me krerët shtetërorë, si dhe me përfaqësuesit e opozitës.

“Këto takime do të jenë një mundësi për të shqyrtuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit, si dhe reformat kryesore, duke përfshirë fushën e reformës në drejtësi, tranzicionit energjetik dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kabineti i Varhelyit.

Pritet që ai të zhvillojë takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, liderët e opozitës ,si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Gjatë qëndrimit të tij në vend, komisioneri Varhelyi dhe Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, do të lansojnë Programin për Çështjet e Brendshme BE-Kosovë, me qëllim që të harmonizohen më tej veprimet e Kosovës në zbatimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar me standardet e BE-së.

Ky program, i financuar nga BE-ja prej 6.5 milionë eurove, do të zbatohet në një periudhë trevjeçare me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës dhe do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

/GazetaSinjali/