Komisionari i ri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, deklaroi se shpreson që Qeveria e re e Kosovës do të punojë për të rifilluar dialogun me Beogradin, përfshirë hapat siç është heqja e tatimit 100 për qind për mallrat serbe.
Ai këto komente i bëri në tryezën e rrumbullakët për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor në Parlamentin Evropian (PE), e cila u mbajt sot në Bruksel.
Varhelyi kujtoi se kreu i ri i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka paralajmëruar se dialogu Beograd-Prishtinë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, do të ishte një nga prioritetet e tij kryesore dhe shtoi se ai ofroi të gjithë ndihmën e tij, me shpresën për ta përfunduar atë deri në fund të vitit të ardhshëm.
Varhelyi tha se ishte e rëndësishme që pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, Kosova të bëhet me një qeveri të re sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi ka punë të rëndësishme për të bërë në fusha të tilla si zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. /Gazeta Sinjali/