image Varhelyi: Presidenti i Kosovës të zgjidhet pa vonesa, kam tri mesazhe kryesore

Kosovë

Varhelyi: Presidenti i Kosovës të zgjidhet pa vonesa, kam tri mesazhe kryesore

news image

Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi ka bërë thirrje që mos të ketë vonesa në zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Në seancën e sotme të Parlamentit Evropian, Varhelyi u shpreh se Kosova duhet që sa më shpejtë ta kompletojë përbërjen e institucioneve të reja të Kosovës.

 Më tutje, Varhelyi ka dhënë tri mesazhe për Kosovën.

“Qytetarët e Kosovës kanë bërë që zëri i tyre të dëgjohet nëpërmjet zgjedhjeve dhe një lidership i ri së shpejti do të jetë në vend. Janë tri mesazhe kryesore që dua të bëjë. E para, që është esenciale, të kompletohet sa më shpejt përbërja e institucioneve të reja të Kosovës. Pas formimit të Kuvendit dhe Qeverisë, Kosova duhet ta zgjedh edhe presidentin e ri pa vonesa. Kosova nuk mund t’i lejojë vetes më tepër pasiguri politike në këto kohë sfiduese”, ka thënë ndër të tjera Varhelyi.

Po ashtu, gjatë kësaj seance plenare të Parlamentit Evropian, ai ka thënë se është esenciale për qeverinë e re që të vazhdohet dialogu Kosovë – Serbi.

“Është esenciale që të përkushtohet Qeveria e re për ta vazhduar dialogun. Është kyçe për qytetarët e dy vendeve, normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve e perspektivën e dyja vendeve. Emisari për dialogun Miroslav Lajçak pret që takimi i radhës të mbahet brenda një kohe të arsyeshme”, ka thënë Varhelyi.

Varhelyi ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovarët.

Ai ka thënë se pajtohet me Parlamentin Evropian se është koha që të procedohet me liberalizimin e vizave të qytetarëve të Kosovës.

“Komisioni pajtohet me Parlamentin se është koha që të procedohet me liberalizimin e vizave të qytetarëve të Kosovës, por e dini se vendimi duhet të merret nga shtetet anëtare në Këshill. I inkurajoj autoritetet e Kosovës të bisedojnë me shtetet anëtare, t’i adresojnë shqetësimet e mbetura të tyre. Janë momente kritike për Kosovën”, ka thënë Varhelyi./Gazeta Sinjali/