image Varhelyi paralajmëron udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave

Kosovë

Varhelyi paralajmëron udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave

news image

Një udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave për Kosovën paralajmëroi komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi, në debatin që u zhvillua të hënën në Parlamentin Evropian.

Temë e diskutimit ishte zgjerimi i bllokut pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Përveç deputetëve nga Parlamenti Evropian, morën pjesë edhe deputetë nga parlamentet kombëtare të shumë shteteve anëtare të BE-së, por dhe të vendeve kandidate dhe të kandidatëve potencialë.

Derisa u fol për Ballkanin Perëndimor, Varhelyi tha se Kosova është në pritje të liberalizimit të vizave dhe se duhet ecur përpara me këtë çështje.

Ai tha se janë disa fusha, si lufta kundër krimit të organizuar, anti-trafikimi dhe kërkesat për azil, ku “shtetet anëtare duan rezultate të qarta”.

Në këto kohëra të vështira dhe në kontekstin e ndryshimeve gjeo-politike, prioriteti ynë mbetet Ballkani Perëndimor”, tha Varhelyi.

Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Kosovës që, së bashku me shtetet anëtare, të vendosim një udhërrëfyes për adresimin e shqetësimeve specifike. Autoritetet e vendeve anëtare, agjencitë e rendit dhe ligjit, forcat e policisë kanë nevojë të angazhohen në terren për t’i ndihmuar Kosovës. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t’i japim Kosovës gjithë ndihmën financiare, teknike dhe politike për këtë proces”, shtoi ai.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.

Qeveria e Kosovës thotë se ka plotësuar çdo kriter nga gjithsejtë 95 sa i ka vendosur BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim.

Megjithatë, procesi është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, e cila ka shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, Varhelyi tha se të dyja vendet duhet të dëshmojnë përkushtim të qartë në kryerje të detyrave.

“Po shohim se Serbia është në një pozitë të vështirë në rrethanat dhe sfidat ekzistuese gjeo-politike. Duhet ta pranojmë këtë. Çështja e sanksioneve [kundër Rusisë] është vetëm një prej simptomave të problemeve. Ne jemi krejtësisht të gatshëm ta mbështesim Serbinë në përshtatjen e mëtejme me politikën e BE-së, lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë. Por, kemi nevojë që edhe Serbia të marrë obligime të reja”, tha Varhelyi, raporton REL.

Serbia, aleate e Rusisë, është vendi i vetëm në Ballkan që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Varhelyi u bëri thirrje vendeve të rajonit që ta rrisin edhe bashkëpunimin mes vete, nëse, siç tha, duan të përfitojnë nga plani për investime dhe ekonomi i Bashkimit Evropian.

“Pa një bashkëpunim të duhur rajonal, qoftë përmes Procesit të Berlinit, qoftë përmes tregut të përbashkët rajonal apo iniciativës së Ballkanit të Hapur, shtetet e rajonit, thjesht, nuk mund t’i gëzojnë përfitimet e planit të investimeve në Ballkan”, tha zyrtari i lartë evropian.

Duke folur për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE, Varhelyi tha se, brenda ditësh, do të mund të zhvillohet konferenca ndërqeveritare e BE-së me këto dy vende.

Ai tha se “të gjitha pengesat janë hequr”, duke përmendur këtu votimin në Kuvendin e Bullgarisë për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut.

Bullgaria, me vite, ka penguar ecjen përpara të Maqedonisë së Veriut, për shkak të disa mosmarrëveshjeve për historinë dhe gjuhën.

Javën e kaluar, Parlamenti grek ka votuar për heqjen e kësaj pengese, në bazë të një propozimi të Presidencës së Francës, por nuk është e qartë se si do të zhvillohen gjërat, pasi Maqedonia e Veriut, fillimisht, e ka hedhur poshtë atë propozim.

Shqipëria ka mbetur pas në hapjen e negociatave, sepse disa shtete të BE-së nuk duan që ajo të ndahet nga paketa me Maqedoninë e Veriut.

Verhelyei tha se ka sinjale pozitive për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Bosnje e Hercegovinës, që është përmendur edhe në konkluzat e samitit të fundit të BE-së në Bruksel, por shtoi se ky shtet duhet t’i përmbushë paraprakisht disa reforma.

Për Malin e Zi, ai tha se në BE presin rikthimin e dialogut të brendshëm politik dhe stabilitet institucional.

Kryetari i Komisionit për punë të jashtme në Parlamentin Evropian, David McAlister, tha se ky debat është në një moment shumë të duhur, pas vendimit në samitin e fundit të BE-së – të mbajtur javën e kaluar – për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë. Javën e kaluar në Bruksel është mbajtur edhe një takim i përbashkët i liderëve të vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.

Deputeti nga Kroacia, Tonino Piculla, i cili është emëruar si raportues i një strategjie të zgjerimit, tha se BE-ja duhet të japë po ashtu shembuj konkretë për të avancuar zgjerimin me Ballkanin Perëndimor.

“Samiti i fundit i BE-së krijoi një valë të re të apatisë në Ballkanin Perëndimor. Vetëm me nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe me heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, BE mund të dëshmojë se në vazhdimësi, e jo vetëm në raste periodike, është në nivel të sfidave dhe faktor i rëndësishëm gjeo-politik”, tha Piculla.

Ky deputet është emëruar për të përpiluar një raport për strategjinë e re të zgjerimit të BE-së.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në faza të ndryshme të integrimit evropian. Negociatat për anëtarësim i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në pritje të nisjes së tyre, ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.

/GazetaSinjali/