Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, në samitin në Slloveni përderisa ka thënë se janë të përkushtuar për integrim dhe anëtarësim të plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ka folur edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Varhelyi përderisa ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave ka thënë se një proces i tillë do të nisë.
“Ne duhet të të marrim përgjegjësitë dhe vendimin që na dërgon në këtë, që nënkupton nisjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, hapjen e negociatave me Serbinë, përshpejtimin e punës tonë me Bosnjë dhe Hercegovinën që të jetë vend kandidat, dhe nisjen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën”, tha Varhelyi.
Varhelyi tutje tha se pikë tjetër kyçe e samitit të sotëm do të jetë rimëkëmbja ekonomike pas krizës së COVID-19.
“Sot ne do të rikonfirmojmë vazhdimin e ndihmës tonë për luftimin e pandemisë COVID-19, dhe gjithashtu ndihmën tonë në shpërndarjen e vaksinave dhe ndihmën shtesë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Varhelyi./GazetaSinjali/