Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, deklaroi se procesi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të përfundojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe shtoi se është një rrugë e gjatë.
Varhelyi u shpreh se nuk është një opsion që Serbia të mbetet jashtë regjimit të sanksioneve të vendosura nga BE ndaj Rusisë.
Megjithatë, ai theksoi se nuk duhet harruar se Serbia është në pozitë të ndryshme nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor “për shkak të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili duhet të rezultojë me marrëveshje”.
Sipas tij, kjo e bën Serbinë më të prekshme kur bëhet fjalë për ekspozimin ndaj Rusisë.
Po ashtu, ai ka theksuar se Serbia është aleate e BE-së dhe duhet trajtuar si e tillë, por ka treguar se cili mund të jetë fundi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Serbia votoi me ne përmes Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të dënuar Rusinë për atë që po bën në Ukrainë. Për mua, ky është një mesazh shumë i fortë politik kur bëhet fjalë për sanksionet. Po, ne presim të shohim harmonizim gradual në politikën e jashtme dhe Unë sinqerisht shpresoj se do të arrihet deri te kjo, por së pari duhet të shohim se si do t’i sigurojmë Serbisë garanci për sigurinë dhe stabilitetin në afat të gjatë”, tha Varhelji.
I pyetur se çfarë duhet të përfaqësojë fundin e procesit të dialogut, Varhelji beson se “të gjithë e dinë se çfarë do të thotë fundi i atij procesi”.
“Fundi i procesit do të ishte njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia. Por që kjo të ndodhë, ka ende shumë për të bërë,” theksoi ai.
Duke iu përgjigjur pyetjes se kur do të jetë e mundur që BE-ja të heqë regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës, Varhelyi tha se pret një vendim muajin e ardhshëm.
“Shpresoj se më në fund do të jemi në gjendje ta sigurojmë këtë për Kosovën, shtetin apo entitetin e fundit në rajon që nuk e gëzon këtë mundësi”, tha ai.