image Varfëria e një burri në Korçë dhe ëndrra e tij: Të ngrohem e të ha diçka dhe të takoj vajzën që s’e shoh prej 4 vitesh

Shqipëri

Varfëria e një burri në Korçë dhe ëndrra e tij: Të ngrohem e të ha diçka dhe të takoj vajzën që s’e shoh prej 4 vitesh

news image

Dimri i ashpër dhe dëbora nuk sjellin vetëm vizitorë në Korçë. Bashkë me to, sjell edhe shtim të vuajtjeve dhe pamundësisë për të siguruar jetesën e personave pa përkrahje dhe në pamundësi reale për të përballuar jetesën.

Në një cep të qytetit juglindor, në një kasolle me dru dhe të rrethuar me mushama, jeton 54-vjeçari, Dionis Tomorri.

I vetmuar pas vdekjes së bashkëshortes dhe martesës së vajzës, ai mbijeton me 17 mijë lekë të vjetra asistencë, dhe ato pak të ardhura që siguron duke çarë dru ose duke pastruar oborret e komshinjve.

Blerja e druve për t’u ngrohur për të është luks, ndërsa nuk ka as ujë për të pirë dhe për t’u larë. “Kam 5 vjet që jetoj i vetëm, në kushte të tilla, të vështira, dhe tani është shumë ftohtë”, thotë ai për A2.

Kasollja ku banon Dionisi 

Kërkesat e tij ndaj pushtetit lokal nuk kanë munguar, por gjetja e një dhome për të, ku të jetojë si njeri, duket ende e pamundur. “Kërkoj një dhomë, ku të lahem, dhe të takoj vajzën pas 4 viteve”, thotë 54-vjeçari.

Edhe pse është invalid, ai nuk përfiton pagesë invaliditeti, pasi sipas tij i thonë se nuk arrin kriteret ligjore dhe ilaçet i merr çfarë i japin farmacistët.

Ndërkohë, në Korçë nuk ka një qendër sociale ku njerëz si Dionisi të konsumojnë të paktën një vakt buke të ngrohtë edhe pse numri i personave në këtë gjendje nuk është i vogël.

/GazetaSinjali/