Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka deklaruar se bisedimet teknike të së mërkurës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Katar për Ngushticën e Hormuzit kanë ecur mirë, duke theksuar se Washingtoni nuk do t’i rikthehet luftës përveçse në rast domosdoshmërie.
Bisedimet po zhvillohen mbi një dakordim prej 14 pikësh të nënshkruar muajin e kaluar, i cili parashikon ndaljen e konfliktit të nisur në shkurt dhe hapjen e ngushticës, si dhe një periudhë 60-ditore negociatash për marrëveshjen përfundimtare të paqes.
Megjithatë, të dyja palët kanë shkëmbyer akuza publike dhe kanë kryer sulme ushtarake javën e kaluar, duke komplikuar procesin e negociatave.
Vance ka thënë se nuk mund të garantojë se SHBA nuk do të rikthehet në luftë para afatit të muajit të ardhshëm, por ka theksuar se administrata amerikane synon marrëveshje.
“Nuk mund të zotohem për asgjë, sepse padyshim që varet nga ajo që do të bëjnë iranianët në fund të fundit”, ka thënë ai për gazetarët në Virginia. “Ajo për të cilën mund të zotohem është që presidenti nuk do ta çojë ushtrinë përsëri përveç nëse është i detyruar, përveç nëse ka qëllim të qartë për këtë”.
Në Doha, bisedimet teknike janë fokusuar në kalimin e anijeve në ngushticë, ndërsa më pas pritet të diskutohen edhe kapacitetet bërthamore të Iranit.
“Është ende shumë herët, por bisedimet po ecin mirë”, ka thënë ai, sipas Reuters.
Irani kërkon të ruajë kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e naftës botërore, dhe sipas burimeve synon vendosjen e tarifave për anijet që hyjnë ose dalin nga Gjiri.
Ndërkohë, trafiku në ngushticë po zhvillohet pjesërisht.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se procesi i denuklearizimit të Iranit po ecën përpara, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Ata kanë bërë rrugë të gjatë. Ne i goditëm shumë fort javën e kaluar. Mendoj se janë mirë”, ka thënë Trump, kur është pyetur për mundësinë e rikthimit të luftës.
Bisedimet në Katar kanë qenë vazhdim i raundit të një dite më parë dhe po ndërmjetësohen nga Katari dhe Pakistani. Ato përfshijnë seanca mes kryenegociatorëve dhe ekspertëve teknikë.
Nga pala amerikane, qëllimi kryesor mbetet sigurimi i qarkullimit të lirë të trafikut në ngushticë, ndërsa Irani fokusohet edhe në lirimin e aseteve të ngrira në vlerë prej 6 miliardë dollarësh.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!