image Vance akuzon zyrtarë izraelitë: Po përpiqen të pengojnë marrëveshjen me Iranin

Botë

Vance akuzon zyrtarë izraelitë: Po përpiqen të pengojnë marrëveshjen me Iranin

news image

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka akuzuar disa anëtarë të qeverisë izraelite se kanë tentuar të ndikojnë opinionin publik amerikan për të kundërshtuar një marrëveshje që synon t’i japë fund luftës me Iranin.

Deklaratat e Vance u bënë gjatë një interviste me podkasterin e njohur amerikan Joe Rogan, e cila u transmetua të mërkurën.

Gjatë intervistës pothuajse treorëshe në “The Joe Rogan Experience”, Vance mbrojti marrëveshjen që administrata Trump arriti muajin e kaluar me Iranin, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm diplomatik.

Ai tha se ka prova të qarta se elementë brenda qeverisë izraelite po përpiqen ta sabotojnë këtë politikë, pasi sipas tij preferojnë vazhdimin e operacioneve ushtarake.

“E di përtej çdo dyshimi se ka njerëz brenda qeverisë izraelite që po përpiqen të na largojnë nga kjo politikë, sepse duan të vazhdojnë fushatën ushtarake”, tha Vance.

Zëvendëspresidenti amerikan theksoi se disa aktorë izraelitë po financojnë ose mbështesin fushata ndikimi, përfshirë përpjekje që, sipas tij, synojnë të manipulojnë opinionin publik amerikan për vazhdimin e luftës “pafundësisht”, pa një objektiv të qartë.

Vance përmendi gjithashtu një raport të revistës “Time”, i cili flet për një fushatë digjitale të lidhur me Izraelin, që synon të ndikojë në perceptimin e amerikanëve për çështjen e Iranit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/