Franca vendosi sot 27 departamente në rrezik “të lartë” nga zjarret në pyje. Paralajmërimi erdhi pasi moti i nxehtë dhe thatësira nxitën flakët në rajonin jugor Var, Korsikë dhe Loire-Atlantik perëndimor.
Transmetuesi TF1, duke cituar “Meteo-France” tha se paralajmërimi mbulon të gjitha departamentet në rajonin Pays de la Loire si dhe zonat, përfshirë Gironde, Haute-Garonne, Aude, Herault, Gard, Bouches-du-Rhone, Vaucluse, Drome, Var dhe Haute-Corse.
Gjashtë departamente jugore mbetën gjithashtu nën alarm portokalli për shkak të valës së të nxehtit. Në Var, një zjarr i madh që filloi në Taradeau të dielën pasdite dogji afro 200 hektarë bimësi dhe preku rreth 10 shtëpi në komunën fqinje Les Arcs-sur-Argens.
Në Loire-Atlantique, një zjarr bimësie në qytetin Trignac shkatërroi të paktën katër shtëpi dhe dogji 21.7 hektarë, duke nxitur evakuimin paraprak të 92 shtëpive. Zjarri u vu nën kontroll pasi 250 zjarrfikës dhe 80 automjete u vendosën në kulmin e operacionit. Gjashtëdhjetë persona u strehuan përkohësisht në një qendër pritjeje në qytet.
Ndërkohë, dy zjarre të ndezura nga rrufeja një javë më parë pranë Albertacce dhe Corte në Haute-Corse kanë djegur rreth 400 hektarë dhe kanë vazhduar të përhapen nëpër zonat malore që janë të vështira për t’u aksesuar nga ekuipazhet e emergjencës, shkruan Abcnews.al.
“Meteo-France” tha se disa departamente do të përballen me rrezik “shumë të lartë” nga zjarri të martën në juglindje të Francës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!