image Vaksinimi tek pakicat, Rexhepi: Shqetësim boshnjakët, komunitetet e tjera janë më mirë

Shëndetësi

Vaksinimi tek pakicat, Rexhepi: Shqetësim boshnjakët, komunitetet e tjera janë më mirë

news image

Vetëm 30% e komunitetit boshnjak që kryesisht jetojnë në zonat rurale të Prizrenit janë vaksinuar ndaj COVID-19, ndërsa komunitetet e tjera qëndrojnë më mirë me imunizim.

Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilia Rexhepi e cila bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen.

Rexhepi u shpreh e kënaqur me pjesëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian në komunën e Prizrenit dhe të Gjakovës të cilët i janë përgjigjur thirrjes për vaksinim, ndërsa shprehet më e shqetësuar për komunitetin boshnjak që jeton në zona më të thella.

Kemi informacione se në komunën e Prizrenit, komuniteti rom, është në masë të mjaftueshme i vaksinuar. Po ashtu, kemi informacione edhe nga kryetari i Gjakovës se komuniteti egjiptian është i vaksinuar me një përqindje mjaftë të mirë, mirëpo kemi probleme në komunën e Prizrenit, ku komuniteti boshnjak në zonat rurale, veçanërisht në fshatra, nuk është mjaftueshëm i vaksinuar dhe statistikat tregojnë se pothuajse 30 për qind e komunitetit tonë atje është i vaksinuar, gjë që të gjithë duhet të veprojmë për të mbrojtur jetën e çdo qytetari”, tha ajo.

Edhe për komunitetin turk zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi u shpreh se janë vaksinuar në masë të kënaqshme.

Ajo ofroi mbështetje për të gjitha komunat me qëllim që qytetarët e pakicave të kenë qasje në qendrat e vaksinimit dhe të imunizohen kundër koronavirusit.

Tashmë kur situata pandemike në vend është përkeqësuar, Rexhepi kërkoi angazhim nga të gjitha palët me qëllim që të rritet numri i vaksinimit të qytetarëve, raporton KP.

Rastet me COVID-19 janë shtuar ndjeshëm në vendin tonë. Vetëm të dhënat e fundit folën për 3,628 raste të reja./GazetaSinjali/