Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i informojnë qytetarët e Republikës së Kosovës se rreth 100 mijë vaksina të gripit sezonal, të blera nga Ministria e Shëndetësisë në funksion të parandalimit të gripit sezonal kanë arritur në Kosovë.
“Ekipet e Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare të komunave të Kosovës, sipas ftesës që u është bërë një ditë më parë nga MSh dhe IKSHKP, kanë filluar furnizimin me vaksina, me të cilat Njësitë e tyre të vaksinimit do t’i vaksinojnë qytetarët në ditët në vijim.” thuhet në njoftimin e Ministrisë
Vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të përdoren sivjet, sipas rekomandimeve të bëra nga OBSH, do të jenë katër shtamëshe dhe si të tilla e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj virusëve më agresivë në qarkullim të gripit sezonal.
Këto lloje të vaksinave përdoren për herë të parë në Kosovë, duke u bërë kështu një nga shtetet e para në rajon që siguron vaksina katër shtamëshe.
Vaksinat janë të parakualifikuara sipas standardeve të OBSH-së, garantojnë cilësinë dhe sigurinë e tyre dhe janë të dedikuara për për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës, si të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundjet kronike.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i siguron qytetarët se po e monitoron me kujdes situatën epidemiologjike në vend dhe ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të Gripit sezonal. / Gazeta Sinjali/