Shpat Kasapi ndonëse jo shumë aktiv viteve e fundit me projekte të reja muzikore mbetet nga këngëtarët më të dashur për publikun shqiptar.
Shpati që pjesë e skenës u bë që në moshë fare të re kishte përjetuar suksesin që në fillimet e tij.
I ftuar së fundmi në “Pardon My French” ai ka folur me nostalgji nisjen e karrierës së tij muzikore.
“E kujtoj me nostalgji , por nuk e kujtoj shpesh. Në atë kohë jam mërzitur nga fama shumë. Ka qenë një periudhë që nuk e kishim lirinë, atë privatësinë tonë. Nuk është ajo që unë dua tani, nuk është jetë për mua. Më shumë dua ta shikoj muzikën si biznes. Jam lodhur shumë. Vinin tek dera e shtëpisë, nuk më linin të flija, vinte e gjithë klasa apo shkolla. Harroja kur bija të flija kur kisha koncerte, zbrisja poshtë në dyqan të blija diçka dhe kishte foto dhe puthje andej-këtej”.
I pyetur nëse e ka menduar të rikthehet në muzikë, Shpati u shpreh se për momentin nuk e gjen ende veten se çfarë stil muzike dëshiron të bëjë dhe duhet të ndryshoj diçka nga vetja.
“Nuk e shikoj veten sepse e kam shumë të vështirë të vendos për një stil muzike që unë dua ta bëj tani në vitin 2023, por mendoj të ndryshoj diçka nga vetja, por nuk e di sepse me këtë prodhim këngësh që po ecën këtu është shumë vështirë”, rrëfeu Kasapi.
Shpati tashmë është bërë dhe baba i një djali me partneren e tij, Selvijen. Për jetën e tij si prind artisti u shpreh: “Unë jam një njeri me vizione, por fëmija më ka ndryshuar shumë. Më ka rigjeneruar energjinë e brendshme, më ka plotësuar shumë. Jam shumë i lumtur. Përkujdesem, e ushqej, e marr në prehër”, tha ai.