image Vajza që publikoi videon e rastit “Orenda” nderohet me mirënjohje nga Prokuroria e Pejës

Sociale

Vajza që publikoi videon e rastit “Orenda” nderohet me mirënjohje nga Prokuroria e Pejës

news image

Prokuroria Themelore e Pejës ka ndarë mirënjohje për Kaltrina Zenelin pas zbulimit dhe publikimit të pamjeve që shfaqnin sulmin që po i bëhej një banoreje në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë.

“Mirënjohje për guximin dhe kontributin e dhënë në paraqitjen e rastit “Orenda” si dhe inkurajimin e qytetarëve për raportimin e rasteve në Prokurori” thuhet në të.

Zeneli thotë se nuk do të hezitojë të lajmëroj raste teksa u bën thirrje qytetarëve që ta bëjnë të njëjtën.

“Zakonisht kur njeriu merr mirënjohje, është i lumtur. Unë realisht nuk e di se si po ndihem. Në momentin që e morra isha e gëzuar, por tani nuk e di a t’i gëzohem kësaj mirënjohje. Ndoshta vepra të cilën e raportova nuk më lejon ta gëzoj njësoj si do i gëzohesha një mirënjohje tjetër, për ndonjë temë tjetër”.

“Gëzimin ma zbeh edhe fakti që një mirënjohje e tillë po ndahej për herë të parë nga Prokuroria e Shtetit (Pejë). Jo se do më lumturonte fakti që do duhej të ndahen më shumë mirënjohje të tilla, se për tu ndarë një mirënjohje e tillë do duhej të ndodhte një rast i tillë, e unë uroj me gjithë zemër që këso lloj rastesh të mos përsëriten më kurrë, por do më lumturonte nëse njerëzit do gjenin guximin për të raportuar, sepse e dimë mirë që nuk ishte e nuk ka qenë rast i vetëm në shoqërinë tonë. Unë vetëm i dhash dritë një zëri i cili sot e asaj dite edhe për mua mbetet anonim”.

“E uroj që raste të tilla të mos mbeten më anonime, e njerëzit të kenë guxim të dalin hapur dhe të raportojnë. Këtë mirënjohje ia dedikoj personit që më dërgoi videon. Unë nuk do hezitoj të jap zë edhe herë tjetër, por uroj që mos të kem nevojë ta bëj më” ka shkruar Zeneli në Facebook.

/GazetaSinjali/