Në 23 vjetorin e Ditës së Çlirimit, vajza e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, Gresa, ka shkruar në Facebook-un e saj, duke e pyetur të atin, se a duhet të festojmë sot, pasiqë është Dita e Çlirimit.
Sipas saj, sot e gëzojnë lirinë ata që e deshtën robërinë, ndërsa vuajnë ata që i dhanë fund Serbisë fashiste.
“Shoh fëmijë të dëshmorëve të harruar, e veteran të një lufte të eger, të poshtruar nga institucionet e shtetit, të cilit i falën gjithçka”, ka shkruar Krasniqi.
Mes tjerash, ajo ka pyetur se a jemi të çliruar kur çlirimtarët po ‘mbahen padrejtësisht në qendër të paraburgimit ndërsa gjykimi po zvarritet”.
Ajo ka kritikuar edhe qeveritarët, sepse sipas saj, nuk po i përkushtohen mjaftueshëm të paraburgosurve në Hagë.
Krasniqi ka thënë se kryeministri i Kosovës në SHBA ka amnistuar krahun e djathtë të Millosheviqit, Vuçiqin, ndërsa për Jakup Krasniqin nuk ka folur asnjë fjalë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës në mes të SHBA-së amniston krahun e djatht të Millosheviçit, Vuçiçin ndërsa për homolgun e atëhershëm të tij në Kosovë, Jakup Krasniqin, asnjë fjalë!“, ka shkruar ajo.
E bija e ish-zëdhënësit të UÇK-së, tha se ministrja Haxhiu nuk e ka ndjekur seancën ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.
“Dy nga drejtuesit e OVL-së së UÇK-së në emër të popullit të Kosovës u dënuan, ndërsa ende nuk ka asnjë hetim të brendshëm se si dolën dokumentet nga zyra e Prokurorisë së Specializuar në Hagë dhe arritën deri tek zyra e OVL-së së UÇK-së në Prishtinë. Dita e çlirimit sot, por seancen gjyqësore ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt që e ndoqën shumë shqiptarë kudo nëpër botë, nuk e ndoqi ministrja e Drejtësisë“, ka shkruar Krasniqi.
Ajo tha se institucionet e Kosovës kanë heshtur për këtë çështje, mirëpo nuk kanë heshtur për luftën në Ukrainë.
“Lavdi të rënëve që dhanë gjithçka për lirinë që sot gëzojmë dhe nderime deri në përulje juve pak të gjallëve që i dhat shumëçka këtij vendi! Babi uroj dhe shpresoj që shumë shpejt, bashkë ta gëzojmë lirinë!“, ka përfunduar Krasniqi.