image Ushtria ukrainase: Forcat ruse po fokusohen në shkatërrimin e njësive ukrainase në Azovstal

Botë

Ushtria ukrainase: Forcat ruse po fokusohen në shkatërrimin e njësive ukrainase në Azovstal

news image

Forcat e armatosura të Ukrainës kanë thënë se ushtarët rusë po përqendrohen në zhdukjen e njësive ukrainase në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol.

“Okupatorët rusë po fokusojnë përpjekjet e tyre në bllokimin dhe përpjekjen për të shkatërruar njësitë tona në zonën e Azovstal. Armiku rifilloi ofensivën me mbështetjen e avionëve për të marrë kontrollin e uzinës”, tha ushtria në përditësimin e saj të fundit.

Petro Andriushchenko, një këshilltar i kryebashkiakut të Mariupolit, tha se sulmet intensive dhe granatimet “pa ndalim” vazhduan në fabrikën e çelikut gjatë natës së të enjtes.

Por, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov hodhi poshtë raportet të enjten se ushtria ruse kishte hyrë në territorin e fabrikës së çelikut duke i konsideruar si “lajm të rremë”, duke thënë se urdhri i presidentit rus Vladimir Putin për të shmangur sulmin ndaj uzinës ishte ende në fuqi.

“Pala ukrainase, veçanërisht ata që fshihen atje në territorin e uzinës, është i njohur për prodhimin e një sasie të madhe gënjeshtrash dhe falsifikimesh në mënyrë të vazhdueshme”, tha Peskov në një konferencë, duke komentuar raportet se trupat ruse kishin bombarduar në Azovstal, ku qindra luftëtarë dhe civilë ukrainas janë bllokuar për javë të tëra.

Peskov shtoi se Putini kishte dhënë një urdhër që të përmbahej nga sulmi ndaj uzinës, duke shtuar se “nuk kishte urdhër të tjerë nga Komandanti i Përgjithshëm [Presidenti Putin]”.

Peskov konfirmoi se bllokimi i uzinës nga forcat ruse vazhdon, por gjithashtu tha se korridoret e evakuimit po funksionojnë sot, shkruan CNN.

CNN nuk ka parë asnjë provë të pavarur që korridoret e shpallura të mërkurën nga ministria ruse e mbrojtjes janë duke funksionuar. 

/GazetaSinjali/