Ish-shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, nuk e ka fshehur gëzimin pas vendimit të Panelit Zgjedhor Për Ankesa dhe Parashtresa për ta aprovuar ankesën e tyre, duke i përjashtuar kështu 3 mijë votat e ardhura nga Serbia.
Sherifi përmes Facebook-ut tha se u konfirmua ajo që Nisma ka pretenduar vazhdimisht. Ai i ka uruar dhe i ka falenderuar të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e koalicionit Nisma-AKR-PD, shkruan Gazeta Sinjali.
“Me vendimet e sotme PZAP ktheu ligjshmërinë dhe konfirmoi atë që vazhdimisht e kemi thënë, se me votat e ligjshme NISMA është pjesë e Kuvendit të Kosovës!
Urime dhe falënderime të gjithë anëtarëve, simpatizantëve dhe votuesve të Koalicionit tonë! Gjithashtu, mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata që ngritën zërin kundër tendencave për të pranuar si të ligjshme zarfet e ardhura në mënyrë të paligjshme nga Serbia!”, ka shkruar Sherifi.
Paneli lidhur me ankesat ka vendosur gjithashtu që t’i çojë në rinumërim 1,472 vendvotime. /Gazeta Sinjali/