Lufta me pandeminë ishte një nga fokuset kryesore të qeverisë gjatë 2020, dhe duket se do të vijojë të jetë edhe në mandatin e tretë të qeverisë por këtë herë me vaksinimin e popullsisë si mënyrën e vetme për të mposhtur pandeminë e COVID-19.
Kryeministri Edi Rama ka vendosur të hedhë në zbatim një urdhër pune që detyron autoritetet të marrin masa për vaksinimin e të gjithë shtetasve shqiptarë të moshës 16 vjeç e lart duke thënë se kjo duhet të mbyllet brenda disa muajsh.
Ky plan pune është pjesë e programit të ri qeverisës që do të kalojë nesër në Parlament për miratim në seancë plenare.
Sipas planit Rama, në shkurt 2022 duhet të jenë të vaksinuar të gjithë qytetarët shqiptarë mbi 16 vjeç.
Në këtë mënyrë zbulohet dhe vendimi tjetër qeveritar për të përfshirë në vaksinimin për koronavirusin edhe moshat e mitura 16 deri 18 vjeç që deri më sot nuk janë të parashikuar.
Në plan thuhet gjithashtu se brenda shtatorit 2021 të gjithë personat +60 vjeç do të duhet të kenë bërë të dyja dozat e vaksinave.
“Vaksinimi i popullatës kritike, personat në moshë mbi 60 vjeç dhe ata me sëmundje bashkëshoqëruese do të ketë përfunduar brenda shtator 2021”, thuhet në programin e qeverisë e cila po ashtu thekson se ka siguruar dozat për vaksinimin për të gjithë popullsinë mbi 16 vjeç deri në shkurt 2022.