image Uran Ismaili: Konjufca duhet të shkarkohet sa më parë, inspiroi "Syrin e Popullit"

Kosovë

Politikë/ Uran Ismaili: Konjufca duhet të shkarkohet sa më parë, inspiroi “Syrin e Popullit”

news image

Sekretari i PDK-së, njëherit deputeti i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se kryparlamentari i zgjedhur, Glauk Konjufca, duhet të jap dorëheqje nga ky post, pasi sipas tij, ai ka inspiruar dhe rekrutuar aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje te organizata “Syri i Popullit”.        

“Glauk Konjufca duhet të shkarkohet sa më parë. Jo për pazare politike, por për faktin se inspiroi dhe rekrutoi aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të “Syrit të Popullit”. Është e papranueshme që ai ta ushtrojë detyrën e Kryeparlamentarit të Kosovës, ndërkohë që aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të “Syrit të Popullit” morën dënimin nga drejtësia kosovare për veprimtarinë e tyre kriminale”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Sekretari i PDK-së tha se për të nuk është çudi që, sipas tij, “Syri i Popullit” u themelua nga aktivistët e LVV-së, të cilët krijuan lista për të vrarë figura të ndryshme publike.

“Nuk është çudi që aktivistët e LVV-së themeluan “Syrin e Popullit” dhe krijuan lista për të vrarë figura të ndryshme publike, përfshirë kundërshtarët politikë. Azem Vllasi i shpëtoi atentatit dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të “Syrit të Popullit” u kapën”, ka shkruar Ismaili.

Sipas Ismailit mosdistancimi i LVV-së nga këto sulme është tregues i “mentalitetit të dhunës” që sipas tij është ushqyer nga Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.

“Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë nuk është distancuar nga përdorimi i dhunës si mjet politik. Përkundrazi. Përgjatë viteve, ka përdorur dhunën dhe ka inspiruar edhe të tjerët të veprojnë njësoj. Duke filluar nga protestat me molotovë, gurët ndaj policisë, shkatërrimi i pronës publike e private, djegia e veturave. Lista dhe koha e ushtrimit të dhunës nga Lëvizja Vetëvendosje është e gjatë. Deri më sot, asnjë distancim prej tyre. Ky është tregues i qartë i mentalitetit të dhunës që ka ushqyer partia e Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës me shokë e shoqe. Në sy të popullit”, ka përfunduar deputeti  i PDK-së./Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/uismaili/posts/547234112541154