Në mesin e dhjetra reagimeve pas refuzimit të ankesës së Klan Kosovës nga ana e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës për pezullim të certifikatës së biznesit, ka reaguar edhe Misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK.
Shefja e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Caroline Ziadeh, ka thënë se kjo është një goditje për mediat e pavarura të Kosovës.
“Kjo është një goditje e veçantë për mediat e pavarura të Kosovës, duke shkaktuar shqetësime serioze për liritë e mediave”, ka thënë Ziadeh.
Në njoftimin e Ministrisë ndër tjera u tha se përpjekjet e “KlanKosovës” për t’i korrigjuar shkeljet, nuk kanë shkuar deri në fund.
“Vendimi i Komisionit konstaton se, në dokumentet zyrtare për ‘pronarët e vërtetë të subjektit’ KGO Media Invest DOOEL, shtetësia e pronarit të këtij subjekti identifikohet si ‘Kosovo’, ndërsa shteti i vet ende si ‘Serbia’, duke e paraqitur përsëri Kosovën si pjesë të Serbisë”, thuhet në reagim. “Ky konstatim i Komisionit ngre edhe një herë pyetjen, cila është arsyeja e vërtetë pse Klan Kosova sh.p.k. po insiston ta paraqesë Kosovën si pjesë të Serbisë?”
MINT-i po ashtu ka kujtuar se tashmë ka dorëzuar kallëzim penal ndaj “KlanKosovës” dhe pronarëve të saj.