image Universiteti që ngeli në akreditim uron studentët për fillimin e vitit akademik

Kosovë

Arsim/ Universiteti që ngeli në akreditim uron studentët për fillimin e vitit akademik

news image

Universiteti i Prizrenit ”Ukshin Hoti”  i cili kishte dështuar në procesin e akreditimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ka tentuar të ndihet i gjallë me rastin e fillimi të vitit të ri akademik në Kosovë.

Përkundër ngeljes në përmbushjen e cilësisë, drejtuesi i këtij institucioni publik, rektori Ismet Temaj, ka uruar stafin dhe studentët për fillimin e vitit të ri akademik.

“Të gjitha njësitë akademike i kanë bërë përgatitjet e nevojshme për fillim të Semestrit të parë të këtij viti akademik. Rektori i UPZ-së, Prof. Asoc. Dr. Ismet Temaj, me këtë rast të gjithë studentëve, stafit akademik dhe administrativ u uron fillim të mbarë të vitit akademik, duke ju dëshiruar suksese”, thuhet në njoftimin e dërguar për medie nga ky universitet, shkruan Gazeta Sinjali.

Në korrik të këtij viti, Këshilli Shtetëror i Cilësisë që vepron në kuadër të Agjencisë së Akreditimit, ia kishte ndaluar Univerisitetit të Prizrenit pranimin e studentëve të rinj në mungesë të cilësisë dhe përmbushjes së kritereve të akreditimit. Krahas këtij institucioni u ishte pamundësuar akreditimi i studimeve për vitin e ri akademik 2019/2020 edhe Universiteteve Publike të Mitrovicës dhe Pejës.

“UPZ është duke punuar për tejkalimin e sfidave, dhe ndërkohë falë punës dhe përkushtimit të menaxhmentit dhe gjithë stafit është shënuar progres dhe bashkërisht besojmë se do t’i tejkalojmë. Urime dhe Suksese në vitin akademik 2019/2020!”, theksohet në njoftimin e Univeristetit të Prizrenit, shkruan Gazeta Sinjali.

Universitetet Publike të Mitrovicës, Pejës dhe Prizrenit ishin hapur në kohë rekord si pjesë e fushatës politike të PDK-së në kohën kur kjo parti udhëhiqej nga Hashim Thaçi. Përveç rehatimit të militantëvë partiakë dhe politizimit të këtyre institucioneve të larta të arsimit, këto universitete kanë dështuar të prodhojnë kuadro cilësore duke e ulur nivelin e dijes dhe të studimit në Kosovë gjë që çoi në ndërhyrjen e Këshilli Shtetëror i cilësisë të përbërë nga espertë ndërkombëtarë.

Vendimi për mbylljen e akreditimit kishte nxitur reagimin e ashpër të kryeministrit, Ramush Haradinaj i cili kishte kundërshtuar vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë duke ndërhyrë drejtpërdrejt në pavarësinë e këtij këshilli. Ai kishte paralajmëruar veprime të menjëhershme duke ndërmarrë hapa konkret në zgjidhjen e kësaj situate veprim ky që i cili është cilësuar skandaloz në opinionin publik./Gazeta Sinjali/