image UNICEF kërkon nga G7 që të shpërndajnë vaksina për vendet e varfra

Shëndetësi

UNICEF kërkon nga G7 që të shpërndajnë vaksina për vendet e varfra

news image

Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara, UNICEF, paralajmëroi se miliona vaksina kundër COVID-19 mund të humbasin, nëse vendet e pasura dërgojnë përnjëherë sasi të mëdha dozash në vendet e varfra, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas këtij fondacioni, vendet e varfra nuk kanë burime për t’i përdorur të gjitha vaksinat menjëherë, andaj ky furnizim duhet të jetë i vazhdueshëm gjatë gjithë vitit.

Michael Ryan, shef i urgjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), tha se “nivelet e larta të mbulimit me vaksina janë rruga për të dalë nga kjo pandemi”.

“Mbulimi me vaksina, me gjasë, duhet të arrijë 80% të një popullate, për të zvogëluar rrezikun që variantet e reja të koronavirusit ‘të importohen’ dhe të shkaktojnë shpërthime të reja”, deklaroi Mike Ryan, ekspert në OBSH.

Lily Caprani, përgjegjëse për vaksinat në UNICEF, tha se vendet me të ardhura të ulëta kanë nevojë për furnizim të qëndrueshëm.

“Nëse vaksinat kursehen deri në Krishtlindje, vendet nuk do të jenë në gjendje t’i absorbojnë ato, mund të shohim miliona doza të vaksinave që nuk përdoren dhe skadojnë. Kjo do të ishte një tragjedi” ”, tha Caprani.

Ndërsa Maria Van Kerkhove, epidemiologe në OBSH, tha se varianti Delta, që goditi rëndë Indinë, po përhapet në më shumë se 60 vende dhe është më i transmetueshëm se varianti Alfa, i cili u shfaq për herë të parë në Britani.

Thirrjes së UNICEF-it i janë bashkuar edhe disa yje botërore të sportit dhe muzikës, si David Beckham, Lady Gaga, Billie Ellish.

Ata kanë nënshkruar një letër për grupin e vendeve më të pasura të botës, G7, duke u kërkuar atyre që të dhurojnë 20 për qind të vaksinave deri në muajin gusht.

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar e vende të tjera kanë premtuar se do t’i dhurojnë dozat e tyre të tepërta për vendet e varfra.

/Gazeta Sinjali/