image “Unë jam i Strellcit, kështu e ashtu ta bëjë” – sigurimi i Ipko-s rrah me shufër klientin në Pejë

Kosovë

Siguri/ “Unë jam i Strellcit, kështu e ashtu ta bëjë” – sigurimi i Ipko-s rrah me shufër klientin në Pejë

news image

Arjan Zhara, 40-vjeçar nga Peja, të martën e 17 dhjetorit ka përjetuar dhunë të rëndë fizike nga sigurimi i lokalit të kompanisë Ipko në qendër të Pejës, raporton Gazeta Sinjali.

Shkuarja e 40-vjeçarit për ç‘bllokimin e numrit të vajzës, i ka rezultuar me dhunë të tepruar nga sigurimi i lokalit të Ipkos, sipas pretendimeve të tij.

Zhara për Gazetën Sinjali, thotë se është rrahur me shufër hekuri pasi ishte prangosur nga sigurimi i këtij biznesi. Ai thotë se pasi ishte rrahur dikush ia kishte fshirë të gjitha videot që kishte xhiruar edhe momentin e rrahjes.

I gjithë problemi sipas pretenduesit është se teksa kishte qenë duke pritur në radhë për të marrë shërbime, kishte pyetur sigurimin nëse mund të kalojë tek një recepsion ku ka më pak persona në radhë.

40-vjeçari pretendon se fillimisht i ishte konfirmuar nga sigurimi se mund të kalojë, e më pas i kishte thënë se të kthehej aty ku ishte. Zhara thotë se në atë moment ka filluar të incizojë ‘torturat’ e klientëve që po u bëhen. Por, ai thotë se pasi kishte përfunduar punë për çfarë kishte shkuar, nuk ishte lënë të largohet nga lokali.

Ai pretendon se sigurimi i kërkoi t’i fshinte videot, por pasi ai nuk e bëri, ai thotë se u rrah nga sigurimi.

“Unë pata shku për një ç‘blloku kartelën e vajzës teme e aty, kanë qenë shumë persona duke pritur në rend. Unë hyra me një rend ku kish pas shumë njerëz, ama në një rresht tjetër pat ma pak veta dhe i thash sigurimit a bon me dal andej, ai më tha bon. Si jam afruar tek recepsioni ma bani nuk bon këndej, po ktheu atje ku ishe”.

“Edhe i thash a po bon hajgare me neve kështu a çka. Edhe e kam nxjerr telefonin me incizua se qysh po presin njerëzit në rend dhe ky po bënë hajgare. Pasi e kam kryer punën tu dashtë me u largu prej lokalit, më ka dal përpara dhe më ka thënë që nuk mundem me dal pa i fshi videot”, ka deklaruar Zhara.

Ai thotë se sigurimi e kishte kërcënuar dhe ofenduar, ndërsa pasi i kishte vënë prangat, ai thotë se dikush ia ka fshirë videot që i kishte incizuar.

“Edhe ai ka fillua me më kërcënuar dhe duke më sha, duke më thënë se është i Strellcit dhe ka me ma ba kështu e kështu. I thash, nëse ti je i Strellcit, edhe unë jam i Pejës dhe edhe unë kam me ta ba kështu ashtu. Dhe menjëherë mi ka vënë prangat duke më thënë se je i arrestuar”.

“Unë s’kam pa kurrkund që arrestohet një person nga sigurimi. Pastaj kanë ardhur Policia e Kosovës të cilët i kam dëgjuar duke i thanë se nuk ka të drejtë me më rrah kështu në këtë mënyrë. Bile i thoshin, ‘a je ti normal qysh e rreh njeriun me duar të lidhura’. Më nuk e di çfarë ka ndodhë asgjë me rastin tim”, ka deklaruar Zhara për Gazetën Sinjali.

Xhevat Ibra nga Policia e Kosovës në rajonin e Pejës, ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se personi është arrestuar për sulm ndaj 40-vjeçarit.

Ibra ka thënë se sulmi ka ndodhur me pretekstin se është futur pa radhë, ndërsa sulmuesi është dërguar në mbajte.

“Ky rast ka ndodhur më 17.12.2019, rreth orës 14 e 30 minuta dhe rasti ka ndodhur në  rrugën “Eriot Engel” në Pejë. Një i dyshimtë, ka sulmuar fizikisht viktimën, për të cilën ju e keni fjalën me pretekst se ky ka tentuar të futet pa radhë aty. Menjëherë Policia e Kosovës u k-a përgjigjur rastit dhe personi i dyshimtë arrestuar dhe me vendim të prokurorit është ndaluar dhe viktima ka pranuar ndihmë mjekësore. Ky rast është duke u hetuar edhe më tutje prokurori i rastit është duke u marrë me këtë çështje”, ka deklaruar ai.-

Gazeta Sinjali ka kontaktuar për të marrë edhe një qëndrim nga Ipko, por të njëjtit nuk kanë kthyer një qëndrim./Gazeta Sinjali/