Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë(UNDP) ka lëshuar një deklaratë mbi reagimet për emrin e Qendrës së Kulturës në Mitrovicë “Rexhep Mitrovica”, projekt ky që ishte implementuar nga UNDP.
Në deklaratën e lëshuar sot, UNDP sqaron se kur është implementuar projekti për rinovim, Qendra e Kulturës në Mitrovicë nuk ka qenë e emëruar Rexhep Mitrovica dhe se emri i është ndërruar më vonë nga komuna e Mitrovicës.
“Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dëshiron të ofrojë sqarime dhe informacione shtesë në përgjigje të artikujve të fundit që përmendin renovimin e Qendrës Kulturore në Mitrovicë. Renovimi i Qendrës së Kulturës në Mitrovicë u bë gjatë fundit të vitit 2000 dhe fillimit të vitit 2001 si pjesë e projektit Programi për Punësim dhe Rehabilitim në Fshat (VERP) të zbatuar nga UNDP dhe financuar nga Agjencia Evropiane për Rindërtim (AER), me financim shtesë të siguruar nga Provinca Autonome e Bolzanos, Itali. Në kohën e renovimit dhe inaugurimit zyrtar në maj të vitit 2001, ndërtesa quhej Qendra Kulturore e Mitrovicës. Pas angazhimit të UNDP-së dhe AER-it në rinovim, emri është ndryshuar nga komuna”, thuhet në deklaratë.
Tutje UNDP ka deklaruar se dënon fuqishëm antisemitizmin dhe ksenofobinë.
“UNDP dënon fuqishëm antisemitizmin, ksenofobinë dhe urrejtjen, në të gjitha manifestimet e tyre, duke përfshirë jotolerancën në rritje dhe diskriminimin ndaj pakicave etnike dhe komuniteteve në situata të cenueshme. Ne jemi të përkushtuar të promovojmë dhe mbrojmë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithëve, dinjitetin dhe të luftojmë dezinformimin dhe gjuhën e urrejtjes”, thuhet në deklaratë.