image Ultimatumi i SBASHK-ut, Nagavci: Neve s’mund të na shantazhojë askush

Arsim

Ultimatumi i SBASHK-ut, Nagavci: Neve s’mund të na shantazhojë askush

news image

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka folur rreth paralajmërimeve të SBASHK-ut për grevë nëse deri në muajin mars nuk hartohet ligji i ri për paga.

Ajo ka thënë se Qeveria Kurti nuk mund të shantazhohet nga askush.

As mua si ministre dhe as Qeverinë Kurti nuk mund të na shantazhojë askush. Ne i kemi të qarta synimet dhe qëllimet tona në përmirësimin e rezultateve në të nxënit, derisa mësimdhënësit dhe menaxhmenti i shkollave janë partnerë tanë tepër të rëndësishëm. Meqë edhe vetë vij nga fusha e mësimdhënies ku kam punuar gjatë jam shumë e vetëdijshme për vëmendjen, interesimin dhe vullnetin e mësimdhënësve për të dhënë më të mirën të mundshme. Nga dita ime e parë e punës bashkë me kabinetin, zyrtarët e ministrisë dhe qeverinë kemi synim që të punojmë maksimalisht për të arritur më të mirën e mundshme. Asnjë presion apo shantazh nuk do të na pengojë që të arrijmë qëllimet tona”, ka thënë Nagavci në klan kosova.

Ndryshe, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe e Kulturës së Kosovës (SBASHK), ka përsëritur paralajmërimin se nëse nuk dëgjohen kërkesat e tyre, në fund të marsit, mësimdhënësit mund të futen në greva.

Në vitin 2019, Qeveria e Kosovës pati dërguar Projektligjin për pagat në Kuvend, i cili ishte miratuar. Ligji parashihte ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë. Me këtë ligj, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612, ndërsa një mjeku specialist nga 600 në 1.195 euro. Ngritje pagash ishin paraparë edhe për policinë dhe doganat, por jo edhe për zjarrfikësit.

Por, institucioni i Avokatit të Popullit e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

Më 30 qershor 2020, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik, pasi nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës dhe shkakton çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura.

Kryeministri Albin Kurti në dhjetor të vitit të kaluar ka deklaruar se po punohet në Ligjin e pagave, për të ofruar zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të sistemit të pagave, në sektorin publik.

/GazetaSinjali/